Will Smith ndjesë publike për shuplakën: “Dola nga vetja dhe gabova”
Akademia e Filmit e dënoi incidentin që shënjoi edicionin e 94-t të çmimeve Oskar, për të cilin ka nisur dhe një shqyrtim zyrtar. Duke cituar burime pranë këtij institucioni, ‘New York Post’ tha se gjesti i tij, mund t`i kushtojë Will Smithit trofenë e fituar, pasi u shpall aktori më i mirë.
Në deklaratën zyrtare të organizatorëve, thuhet se “Akademia e Arteve dhe Shkencave të Filmit nuk e pranon dhunën në asnjë formë. Vetë Smith i bëri kolegut Chris Rock një apologji publike, duke e cilësuar sjelljen e tij si “të papranueshme e të pafalshme”. Të kërkoj ndjesë Chris, u shpreh ai. Dola nga vetja dhe gabova”.
Gjatë prezantimit të fituesit të çmimit Oscar për dokumentarin më të mirë, komediani i njohur Chris Rock po tallej me të famshmit e ulur në rreshtin e parë të teatrit Dolby, ku po zhvillohej ceremonia. Ai bëri shaka edhe me gruan e Smith, e duke iu referuar flokëve të saj të qethur tha se priste ta shikonte atë në një seri të dytë, të filmit të njohur të vitit 1997, G.I. Jane, ku aktorja Demi Moore luan rolin e një ushtareje, me kokë të qethur.
Smith u ngrit nga vendi dhe e goditi Rock me shuplakë në skenë pas shakasë pa kripë, e cila e bëri Jada Pinkett Smith të ndihej keq, pasi aktorja në fakt ka probleme me rënien e flokëve për shkak se vuan nga sëmundja e alopecisë.