Williams: Kosova demonstroi aftësitë për t’iu përmbajtur shtetit ligjor, zhgënjyes vendimi i LS për të bojkotuar zgjedhjet në veri

09 prill 2024 | 19:09

Paul Williams, profesor i Universitetit Amerikan në Washington dhe ekspert i së drejtës ndërkombëtare, beson se vendimi i Listës Serbe për të bojkotuar votimet për shkarkimin e kryetarëve në katër komunat në veri të Kosovës, bie ndesh me interesat e qytetarëve serbë në Kosovë.

“Është një zhgënjim i vërtetë që Lista Serbe ka vendosur sërish të bojkotojë votimet. Ka kaluar një çerek shekulli tashmë që Kosova ka qenë e pavarur dhe në rrugëtimin drejt demokracisë, funksionimit të shtetit ligjor. Dhe kjo taktikë e bojkotimit të votimeve demokratike nuk është një mënyrë serioze për të mbrojtur interesat e shtetasve serbë të Kosovës. Kosova ka demonstruar aftësitë e saj për t’iu përmbajtur shtetit ligjor, për të patur zgjedhje demokratike. Sinqerisht ka ardhur koha që drejtuesit e serbëve në Kosovë ta përqafojnë plotësisht demokracinë, ashtu siç angazhohen të gjithë të tjerët në Evropë në procesin politik”, tha Williams për Zërin e Amerikës.

Prof. Williams vlerëson se procesi i normalizimit ka ngecur sepse Serbia refuzon faktin që Kosova është e pavarur dhe shkakton provokime dhe pengesa, përfshirë së fundmi përpjekjet për të bllokuar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Mendoj se është e rëndësishme të mos ndiqet versioni i Bashkimit Evropian apo i Serbisë, sipas të cilit të dyja palët janë përgjegjëse, se është një ngurrim i dyanshëm. Sinqerisht, sa herë bëhet përparim drejt normalizimit, Serbia do ta ngacmojë Kosovën, ose do të krijojë një provokim në mënyrë që të mund të thotë ‘shikoni, qeveria kosovare nuk është dhe aq e interesuar për këtë normalizim siç jemi ne’. Mendoj se Serbia nuk ka arritur ta kuptojë se Kosova nuk është më pjesë e Serbisë, se është një vend i pavarur dhe në rrugëtimin drejt Evropës. Serbia nuk ka vendosur ende nëse po shkon drejt Evropës apo drejt Rusisë dhe mendoj se vazhdon të mbahet pas Kosovës si diçka që mund ta përdorë për të tërhequr vëmendjen nga pozicioni i saj në Evropë”, tha Williams.

“Kosova ka bërë gjithçka që i është kërkuar nga komuniteti ndërkombëtar, për t’u demokratizuar, për t’u reformuar ekonomikisht, për të qenë një aleate e mirë e Perëndimit. Ka ardhur koha për amerikanët dhe evropianët që ta mbështesin plotësisht iniciativën politike të Kosovës dhe t’ia bëjnë të ditur Serbisë se tani është koha për të vendosur: Perëndimin apo Lindjen? Nëse Serbia shkon drejt Lindjes, s’ka problem. E shohim se çfarë u ka ndodhur atyre që e kanë ia kanë bashkangjitur të ardhmen e tyre Rusisë. Nuk u ka dalë dhe aq mirë”, tha ai.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Prof. Williams, thotë se amerikanët dhe evropianët duhet t’ia bëjnë të qartë Serbisë se duhet të zgjedhë mes Perëndimit dhe Rusisë.

25 vjet pas ndërhyrjes së NATO-s prof. Williams, i cili ishte këshilltar për delegacionin e Kosovës në Rambuje, e cilëson Kosovën një histori të madhe suksesi, pasi me atë ndërhyrje u ndërprenë mizoritë dhe u shpëtua e ardhmja e saj, por edhe sepse SHBA mësoi vlerën e ndërhyrjes humanitare dhe mbrojtjes së aleatëve dhe miqve të saj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot gjatë ditës është gjetur një sasi eksplozivi i pa…