Williamsi tërhiqet nga turneu i Pekinit
Serena Williamsi ka vendosur të mos luajë më asnjë ndeshje këtë vit, duke u tërhequr edhe nga turneu Masters i Pekinit, ku ishte regjistruar dhe që nis më 1 tetor.
Tenistja 36-vjeçare, fituese e 23 grand slameve në karrierën e saj, e mbyll kështu këtë vit me 24 ndeshje të luajtura, 18 fitore e 6 humbje. Ajo u rikthye në fushë 8 muaj pas lindjes së vajzës, duke dalë edhe në finalet e dy grand slameve, “Wimbledon” dhe “US Open”, por pa i fituar dot ato. Kjo tërheqje e ish-numrit 1 në botë duket se vjen pas polemikave të shumta që ajo pati pas finales së humbur në “US Open”, ku debatoi ashpër me gjyqtarin Carlos Ramos, të cilin e akuzoi edhe për racizëm. Por tenistja u shpreh se tani ajo do t’i nisë përgatitjet për sezonin e ri, ku synon të jetë kompetitive që në janar, kur zhvillohet “Australian Open”.