Wisneri: ‘Modeli i dy Gjermanive’ është i duhuri për zgjidhje në bisedimet Kosovë-Serbi
Ish-përfaqësuesi i ShBA-së në bisedimet për pavarësinë e Kosovës, Frank Wisner, ka thënë se beson se “modeli i dy Gjermanive” do të ishte zgjidhja më e mirë për një marrëveshje Kosovë-Serbi.
“Pozicioni im prej kohësh është se ndryshimi i kufijve në Ballkan ka marrë fund dhe që nuk janë të hapur për diskutim. Besoj dhe kam besuar që prej kam qenë i përfshirë direkt në negociatat në mes të Kosovës dhe Serbisë në vitin 2007, ku modeli i dy Gjermanive ishte përgjigja ndaj rrethanave për arsye të thjeshtë”, ka thënë Wisneri për “Zërin e Amerikës”.
Ai kanë se nuk ka ndonjë sinjal se Serbia mund ta njohë pavarësinë e Kosovës.
“Mua nuk më duket që Serbia ka të ngjarë ta njohë pavarësinë e Kosovës, dhe në të njëjtën kohë, interesi më i mirë për Kosovën është nisja e ndërtimit të marrëdhënieve me Serbinë, që hap bashkëpunim ekonomik dhe zgjeron këndvështrimin për progresin e Ballkanit drejt BE-së”.
“Prandaj për këto arsye, ‘modeli i dy Gjermanive” nuk është i përkryer, por që përmbajtja është e mirë”, ka thënë ai.
Wisneri ka thënë se pushtimi i Ukrainës nga Rusia nuk do të ndryshojë asgjë në bisedimet Kosovë-Serbi.