Wolff: Hamiltoni mund ta kap rekordin e Schumacherit
Mercedes do të jetë makina për t’u mundur edhe këtë sezon të Botërorit të Formula 1, gjë të cilën në fakt e bën prej disa vitesh. Vitin e kaluar Ferrari iu afrua shumë, madje duke udhëhequr renditjen për makina për disa muaj, por në fund triumfuan “shigjetat e argjendta”, që rikuperuan në pjesën e dytë të sezonit.
Shefi i makinës gjermane Toto Wolff bën një gjumë të qetë, pasi e di se ka në dispozicion dy pilotë kampionë si Lewis Hamilton dhe Valtteri Bottas, që së bashku formojnë një skuadër të fortë dhe fituese, siç dhe ndodhi vitin e kaluar.
Duke bërë një krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, Wolff thotë: “Është një situatë më pak stresuese krahasuar me vjet. Por askush nuk e di saktësisht se çfarë do të ndodhë muajt që vijnë. Askush nuk e di se çfarë mendon në këto momente Lewis, do të rinovojë apo jo”, tha drejtori sportiv i Mercedes. Duke folur për pilotin britanik, që u shpall për të 4-n herë kampion bote, ai shtoi: “Paraqitja e tij ishte fantastike dhe nuk i mungon motivimi edhe pas 4 titujve kampionë. Mendoj se ai synon të arrijë rekordin e Schumacher, që ka 7 tituj kampionë dhe besoj se ka mundësi ta kalojë atë. Ne do të bëjmë maksimumin për t’ia dalë mbanë”. (Telesport)