Wolff: Jemi gati të presim disa muaj Verstappenin
Në vitin 2025, siç dihet prej disa muajsh, rrugët e Lewis Hamiltonit dhe Mercedesit do të ndahen. Toto Wolff shpjegoi asokohe se ai nuk ishte me nxitim për ta zgjedhur zëvendësuesin e tij dhe bota e paparashikueshme e Formula 1 i dha atij mundësinë për të përfshirë Max Verstappenit në mesin e kandidatëve të mundshëm.
Rruga për ta sjellë kampionin holandez te “shigjetat e argjendta” duket të jetë gjithçka tjetër veçse e qetë. Nga njëra anë, Verstappeni mund të dëshirojë ta ndryshojë skuadrën për shkak të mosmarrëveshjeve të brendshme brenda Red Bullit.
Nga ana tjetër, Mercedesi nuk duket se ka një makinë shumë konkurruese për holandezin. Toto Wolff, pas garës së Majemit, foli sërish për këtë çështje, duke sqaruar: “Në jetë nuk ka asgjë 100 % të sigurt. Ne do të presim dhe do të shohim se çfarë do të bëjë Max për të ardhmen e tij. Natyrisht që po monitorojmë edhe pilotët e tjerë. Carlos Sainz ishte përsëri shumë i shpejtë. Jemi në modalitetin e vëzhgimit. Vendimi për të ardhmen e tij i takon Maxit dhe nuk do të jetë çështje ditësh, por javësh apo muajsh. Ne do të presim”.