Wolff: Mercedesi po rikthehet, rinovimi me Hamiltonin çështje ditësh
Ngjitja e të dy pilotëve të saj në podium në garën e fundit në Spanjë ka rikthyer entuziazmin te skuadra Mercedesit, që synon t’i afrohet sa më shumë Red Bull.
Në prag të garës së Formula 1 që zhvillohet këtë fundjavë në Kanada, shefi i makinës gjermane, Toto Wolff, zbulon risitë e fundit për sa i përket makinës dhe jo vetëm. Ai sqaron se rinovimi i kontratës me Lewis Hamilton është pranë finalizimit: “Mendoj se tashmë është çështje ditësh që të zyrtarizojmë rinovimin e kontratës me Lewis. Kemi një marrëdhënie shumë të mirë dhe shumë shpejt do të japim lajmin. Lewis dhe Mercedesi njihen prej vitesh, ndaj është një lidhje normale”.
“Unë dhe Lewis kemi ardhur së bashku te Mercedes në vitin 2013 dhe në këto 10 vjet, nga një marrëdhënie profesionale kemi shkuar në miqësi. Për mua është personaliteti më i madh i këtij sporti, ndaj meriton çdo kërkesë që ka ndaj nesh”, ka thënë Toto Wolff. Ai premton se makina do të jetë mjaft e mirë në garën e radhës në Kanada: “Kemi bërë disa hapa përpara nga ana e inxhinierisë, pas vendimeve teknike që morëm. Ndaj mendoj se po rikthehemi protagonistë. Para 10 ditësh arritëm një rezultat të mirë, ndaj është thjesht çështje kohe, nuk kam asnjë dyshim”.