Wolff paralajmëron rivalët: Do t’i kujtoni me nostalgji ditët pa Mercedesin protagonist
Shefi i Mercedesit, Toto Wolff, ka reaguar për sezonin e fundit dhe ka paralajmëruar rivalët për atë që i pret vitin tjetër. Ai beson se makina gjermane do të jetë protagoniste dhe sezonin e kaluar ka qenë një leksion shumë i mirë, që u shërben për vitin 2023.
“Mendoj se për t’u ngjitur në majë duhet fillimisht të gabosh apo të dështosh. Nuk ka asnjë skuadër që i ka fituar të gjitha titujt kampionë ku ka marrë pjesë. Ndaj leksioni që morëm këtë vit ishte i fortë dhe personalisht mësova shumë, duke njohur pikat e forta e të dobëta të skuadrës”, ka thënë Wolff.
“Di të them që sezonin tjetër do të jemi aty, duke dueluar për titullin, duke qenë protagonistë. Ditët kur Mercedesi zhgënjente do të jenë larg, një nostalgji për rivalët tanë, që do të na shohin ndryshe në pistë. Shpresoj shumë që e ardhmja ta vërtetojë këtë që po them”, u shpreh Wolff.