Wolff paralajmëron rivalët: Nuk ndalemi me dy fitore
Mercedesi ka fituar dy garat e fundit të Formula 1, duke u rikthyer pretendente. Sigurisht që fati i “dha një dorë” në Austri, por makina gjermane ka qenë gjithmonë në vendet e para në garat e fundit, ka mundur të përfitojë nga gabimet e të tjerëve, duke treguar një rritje shumë domethënëse.
Një rritje që nuk duan ta ndalin te skuadra nga Brackley, ndaj po mendojnë për risitë e radhës, të cilat do të prezantohen që në garën tjetër në Hungaroring. Si në Hungari ashtu edhe në Belgjikë (pista e SPA), Mercedes do të sjellë risi të tjera në W15-ën e tij, siç konfirmohet nga drejtori i ekipit Toto Wolff.
“Jam i kënaqur me ekuilibrin që kemi arritur. Si të balancojmë makinën dhe si t’i shfrytëzojmë në maksimum risitë ishte aspekti kryesor. Po gjejmë performancën dhe kjo përkthehet në kohë të shpejtë për xhiro, gjë që nuk ka ndodhur në dy vitet e fundit”, ka thënë menaxheri austriak i Mercedes. “Do të ketë ndryshime të tjera për sa i përket performancës. Do të sjellim përditësime të tjera si në Hungari ashtu dhe në SPA, por ne nuk duhet të rrëmbehemi nga fitoret. Në Austri fituam pasi patëm edhe ritmin e duhur. Kjo na bëri të kuptonim se situata do të përmirësohej, por nuk e mendonim se ky rezultat do të vinte në Silverstone, sepse nuk kishim pothuajse asgjë të re në makinë”, ka thënë Wolff. /Telesport/