Wolverhamptoni i shtohet garës për Brojën
E ardhmja e Armando Brojës vazhdon të jetë në “ajër”, me sulmuesin shqiptar që kërkon largimin nga Chelsea këtë verë për të nisur një aventurë të re.
Deri më tani, interes për të ka shfaqur Milani, Evertoni dhe Juventusi, teksa së fundmi në skenë ka hyrë edhe Wolverhampton.
Klubi i njohur i Premier League, prej kohësh ka treguar pëlqimin për 22-vjeçarin shqiptar, teksa kërkoi ta huazonte dhe në janarin e shkuar, por nuk ia arriti dot për çështje kohe.
Tashmë, “Ujqërit” duket se janë të gatshëm të hynë sërish në negociata me Chelsean, kjo për shkak të dëmtimit të sulmuesit kryesor, Matheus Cunha.
Sulmuesi brazilian pësoi një dëmtim gjatë fazës përgatitore dhe raportohet se nuk do të jetë i gatshëm për skuadrën e O’Neil në startin e sezonit.
“Blutë” e Londrës duan 25 milionë paund për Brojën, por Wolves duket se do të negociojnë për të bindur drejtuesit e Chelseat.
Nëse ky transferim do të kryhet me sukses, atëherë Broja do të debutojë në shtëpinë e re pikërisht kundër Chelseat, me Wolves që luan kundër “Bluve” ndeshjen e parë të kampionatit si pritës.