‘Pesëshja e madhe’ sot zbarkon në Kosovë dhe Serbi

21 tetor 2023 | 07:00

– BE-ja dhe ShBA-ja pritet ta shtojnë trysninë ndaj Kosovës dhe Serbisë për rinisjen e dialogut dhe zbatimin e marrëveshjes

I dërguari i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak dhe emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), Gabriel Escobar, do t’i vizitojnë sot (e shtunë) Kosovën dhe Serbinë.

Lajçaku dhe Escobari do të shoqërohen nga këshilltari për siguri dhe politikë të jashtme i presidentit të Francës Emannuel Macron, Emanuel Bonne, ai i kancelarit gjerman Olaf Scholz, Jens Plotner dhe këshilltari i kryeministres së Italisë Giorgia Meloni, Francesco Talo. Ata vijnë në Prishtinë dhe Beograd për ta ringjallur dialogun për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë pas sulmit terrorist të 24 shtatorit ndaj policisë në veri të vendit.

Diplomatët perëndimorë kanë theksuar se 24 shtatori ka dëshmuar rëndësinë e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë – Serbi dhe kthimin e palëve në tryezën e bisedimeve për zbatimin e marrëveshjes së arritur në Bruksel dhe në Ohër më 27 shkurt dhe 18 mars të këtij viti.

Bashkimi Evropian (BE) ka thënë se “kemi pritje të qarta nga palët që ta vazhdojnë procesin e normalizimit dhe t’i përmbushin pa vonesa dhe pa kushte detyrimet e tyre”.

Presidenti francez Emmanuel Macron ka thënë më 17 tetor në Tiranë se Franca po i ndjek me vëmendje tensionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke e cilësuar marrëveshjen “një udhërrëfyes solid dhe të mirë”. “Mendoj se është përgjegjësi e presidentit (serb Aleksandër) Vuçiq që ta dënojë më vendosmërinë me të madhe aktin e 24 shtatorit. Kjo do të kontribuonte në rivendosjen e qetësisë në kufi”, ka thënë Macroni në Tiranë, duke adresuar disa kërkesa për Kosovën dhe Serbinë. “Hapat e ardhshëm dhe çfarë presim nga autoritetet e Kosovës dhe ato serbe janë të thjeshta: riorganizimi i zgjedhjeve në komunat ku këto janë bërë në kushte të papërshtatshme, pjesëmarrja e serbëve në këto zgjedhje dhe në institucione dhe themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe nga autoritetet e Kosovës. Kushtet duhet të plotësohen në këtë radhitje, në tërësi dhe plotësisht”, ka thënë presidenti Macroni, i cili ka nxitur shumë debate me një deklaratë me të cilën ka paralajmëruar Kosovën për mosmbajtjen e premtimeve lidhur me shtensionimin e situatës me Serbinë. “Dua ta them një gjë shumë qartë. Ne kemi bërë një gjest besimi për çështjen e vizave. Për sa i përket Francës, ato (vizat) janë hequr sepse Franca e mban premtimin e dhënë. Ndërsa fjala sot nuk po mbahet”, ka thënë Macroni.

Fillimisht, komentet e Macronit janë interpretuar nga mediet në Shqipëri dhe në Kosovë si mesazh se Franca po tërhiqej nga vendimi për liberalizimin e vizave.

Vendimi i Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën pritet të hyjë në fuqi më 1 janar të vitit 2024.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë të enjten në mbrëmje në një intervistë në emisionin “Opinion” me Blendi Fevziun se presidenti Macron, “si të gjithë të tjerët, por edhe ndoshta pak më shumë se të tjerët, është vetvetiu i lënduar me faktin që edhe pse është angazhuar personalisht bashkë me kancelarin (gjerman Olaf) Scholz për të vënë në tavolinë një plan që quhet plani franko-gjerman dhe që është gjëja më e mirë që mund t’i ndodhë Kosovës në këtë fazë të historisë së saj dhe duke diskutuar, më tha që unë nuk jam i gatshëm të hap rrugë nëse ata në Prishtinë nuk do t’i hapin rrugë dakordësisë mbi planin franko-gjerman”.

Rama ka thënë se presidenti Macron ka folur për disa javë në vijim si periudhë e mundësive për Kosovën. “Pra duhet të ketë lëvizje në drejtimin e duhur se nuk mund të merret peng gjithë bashkësia e aleatëve dhe e miqve të Kosovës, nuk mund të merret peng i gjithë komuniteti euroatlantik për t’i bërë karshillëk një përpjekje të tyre, shumë, shumë të vendosur dhe po kaq të sinqertë për ta zgjidhur çështjen e Kosovës”, ka thënë Rama.

Kurti nuk jep hollësi para takimit me emisarët e dialogut

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka treguar se çfarë do të diskutojë me pesë emisarët perëndimorë për dialog, të cilët sot (e shtunë) do ta vizitojnë Kosovën.

Kurti ka thënë të premten se çfarëdo që të kërkojnë ata do të dihet të shtunën (sot). “Çka do të kërkojnë e marrim vesh nesër. Unë mund të them që nuk mund të kemi normalizim pa siguri. Siguria e Kosovës duhet të jetë prioritet edhe për institucionet e shtetit edhe për popullin edhe për shoqërinë. Për këtë punojmë ditë e natë me krejt çfarë mundemi e dimë. Në dhjetorin e vitit të kaluar i kishim tri javë 16 barrikada në veri. Më 26-29 maj të këtij viti patëm sulm mbi policinë, ushtarët e KFOR-it dhe mbi ju gazetarë në veri. Më 14 qershor e patëm rrëmbim e tre policëve tanë në Leposaviq”, ka thënë Kurti.

Më tutje, Kurti ka folur edhe për sulmin terrorist të 24 shtatorit. “Së fundi më 24 shtator patëm sulm terrorist nga i cili u vra rreshteri i policisë Afrim Bunjaku. Është jetike për Kosovën, për demokracinë, por do të thosha edhe për rajonin e Ballkanit në përgjithësi, që ata të cilët nuk e kanë ditur ose kuptuar se kush është Serbia dhe Beogradi zyrtar, më në fund ta bëjnë këtë sepse nuk është Kosova ajo e cila duhet të ketë masa ndëshkuese, por është Serbia ajo së cilës duhet t’i vendosen sanksionet”, ka thënë Kurti, duke shtuar se Kosova çdoherë ka qenë palë konstruktive në procesin e dialogut. /Lirim Geci

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Eksperti për çështjet e sigurisë, Ilir Kulla theksoi gjatë intervistës…