Izraeli hap dyert për Kosovën, reagon Hoti: Sa isha unë kryeministër pranuam njohjen nga ky vend
Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar pas lajmit se Izraeli do t’ia heq vizat Kosovës.
Përmes një postimi në Facebook, Hoti është shprehur i lumtur se gjatë kohës sa ishte kryeministër i Kosovës Izraeli e kishte njohur Kosovën si shtet.
”Jam i lumtur që sa isha Kryeministër e pranuam njohjen nga Izraeli dhe tash si Kryetar i Grupit të Miqësisë Kosovë-Izrael ta marrë lajmin se së shpejti lëvizim pa viza në Izrael. Si Grup i Miqësisë kemi punuar shumë që të thellojmë bashkëpunimin ekonomik dhe diplomatik me Izraelin. Ndër kërkesat e para në vizitën që kishim në Izrael si Grup i Miqësisë kërkuam heqjen e vizave për qytetarët tanë. Kjo është një mundësi për qytetarët dhe bizneset t’i shkëmbejnë përvojat e tyre”, ka thënë ai.
“Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës dhe miqtë e saj”, ka deklaruar ai.
Më 4 shtator të vitit 2020 nën ndërmjetësimin e presidentit të atëhershëm amerikan, Kosova dhe Serbia kishin nënshkruar marrëveshje ndaras me SHBA-në që për qëllim kishin normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi.
Pjesë e marrëveshjes që Kosova e nënshkroi ishte edhe njohja nga izraeli, kështu Kosova pranoi që ta ketë ambasadën në Jerusalem, lokacion i kontestuar nga shumica e vendeve të botës, poqë i mbështetur nga administrata Trump.