Policia e Kosovës shpall në kërkim Noizyn, ia publikon foton
Policia e Kosovës e ka shpallur në kërkim reperin e njohur Noizy dhe Bahtjar Bajraktarin, si të dyshuar për përleshjen që ndodhi në një diskotekë në Pejë javën që shkoi, shkruan Reporteri.net.
Në njoftimin e Policisë bëhet me dije se ata po kërkohen për veprën penale “Lëndim i rëndë trupor”.
Policia ka kërkuar nga të gjithë ata që kanë informacione për vendndodhjen e tyre, që ta lajmërohen në stacionin më të afërt policer.
Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës, Shkodran Nikçi, ka deklaruar para dy ditësh se reperi shqiptar nuk është paraqitur në stacionin policor përkundër premtimeve që ka pas avokati i tij, andaj i ka bërë atij dhe të dyshuarve të tjerë të paraqiten në stacionin e policisë.
Nikqi ka thënë se të gjithë qytetarët që janë në dijeni të japin informacione mbi vendndodhjen e të dyshuarve.
“Nuk është paraqitur përkundër premtimeve që ka pas avokati i tij se do të paraqitet, nuk është paraqitur në stacionin policor për intervistim dhe për këtë çështje i bëjmë apel këngëtarit (Noizy) dhe gjithë personave të përfshirë në këtë vepër penale që të paraqiten tek organet hetuese. Përndryshe kërkojmë edhe ndihmën e gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, veçanërisht kushdo që ka informata për vendndodhjen e tyre të bashkëpunojë ngushtë me policinë dhe prokurorinë dhe ju garantojmë që emri i tyre do të jetë konfidencial nëve na duhen vetëm informata”, tha Nikçi për Reporteri.net.
Kujtojmë se Noizy ka mohuar se ka qenë i përfshirë në rrahje. Ai përmes një postimi në Instagram ka thënë se në momentin që kishte shpërthyer përleshja, sigurimi e kishte shoqëruar jashtë dhe se nuk e kishte goditur për asnjë çast personazhin e tik-tokut.
“Prandaj dhe në video nuk dukem unë, sepse unë nuk kam qen aty në atë moment”, ka shkruar ndër të tjera reperi Noizy.