Dalin mesazhet: Dejona Mihali vendos kur të ndalet rryma në Kosovë, e kur jo
Koordinatorja e komiteteve në Vetëvendosje, Dejona Mihali, e cila nuk mban asnjë pozitë shtetërore e as drejtuese në korporatë vendos se kur të ndalet rryma, e kur jo në Kosovë.
Ndonëse, nuk ka asnjë kompetencë formale ajo i jep urdhër Nagip Krasniqit, ish-Kryeshefit të KEK-ut, që rryma të mos ndalet në ditë të caktuara. Pas kësaj, ajo ia jep Krasniqit edhe një leksion se si duhet t’i mbaj në kontrollë burimet e informacionit, “sidomos ata të ndërrimit të natës”.
“Sot dhe nesër jetike mos të ketë reduktime”, i drejtohet Mihali, ish-kryeshefit të KEK-ut Nagip Krasniqi në komunikimet që i ka publikuar Nacionale.
Madje përveç kësaj, ajo ia shton edhe një “fare” në fjali, duke ia bërë të ditur Krasniqit, se për ato ditë të caktuara nuk duhet të ketë fare reduktime.
Pas urdhërit që Mihali ia jep Krasniqit që të mos ketë reduktime, pason një bisedë tjetër; ajo ia jep një leksion se si duhet të kontrollohen sinjalizuesit.
Duke ia dërguar një informacion që kishte dalur nga KEK-u, Mihali i kërkon llogari Krasniqit, se përse po dalin informacione nga Korporata, e ky i fundit nuk po i di.
Krasniqi për t’u “shfajësuar” i thotë se “s’duhet të merremi me thashetheme”, derisa Mihali ia kthen me një leksion: “vërtetësia është tjetër gjë, burime të tjera të infos çka ngjan aty në vend të ngjarjes është me rëndësi, të marrim masa, të kesh njerëz që të njoftojnë paralelisht, ata që janë në ndërrim kryesisht natën.”
Gjatë ditës janë publikuar edhe mesazhe të tjera të Mihalit me Krasniqin.
Më herët u publikua një bisedë, ku Mihali e informon Nagip Krasniqin për shkrimet e mediave se kompania GEN e lidhur me Martin Berishajn, kishte përfituar 4.2 milionë euro gjatë kohës së krizës energjetike.
Para këtij raportimi, dorëzohet edhe Nagip Krasniqi i cili e konfirmon se “pak a shumë është i vërtetë”.
Mihali ia ka dërguar Krasniqit linkun e Gazetës Online Reporteri.net, përderisa reagimi i Nagip Krasniqit ishte i menjëhershëm.
Platforma ‘Signal’ që njihet si më vështirë e përgjueshme, ka qenë forma më e shfrytëzuar për komunikim ndërmjet koordinatores së komiteteve në Vetëvendosje, Dejona Mihalit, dhe ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi.
Po ashtu është publikuar edhe një bisedë tjetër ku Mihali para takimit e porositë Krasniqin që të kamuflohet me një kapele.