Kastrati i ashpër me Kurtin: Është komunist i rrezikshëm, ka lexuar literaturë anti-amerikane
Deputeti i PDK-së, Ardian Kastrati, ka kritikuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, duke e quajtur atë “komunist të rrezikshëm” dhe “majtist radikal”. Kastrati ka argumentuar se Kurti ka lexuar vetëm literaturë anti-amerikane dhe ka akuzuar Kurtin për moskoordinim në çështjen e dinarit, duke shkaktuar luhatje në partneritetin mes Kosovës dhe SHBA-së.
Deputeti i PDK-së, Ardian Kastrati, ka thënë se kryeministri, Albin Kurti, “është një komunist i rrezikshëm”, pasi sipas tij, ka “lexuar skajshmërish veç literaturë anti-amerikane”.
Këto akuza ndaj kryeministrit, Kastrati i deklaroi gjersa po komentonte luhatjen e partneriteti mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës – për shkak të mos-koordinimit për çështjen e dinarit.
“Sepse u pa që jo vetëm me pas të drejt mundesh me implementu, por duhet me pas dikën me të ‘backup’, dikën mbas shpine që të ndihmon me iplementu këtë vendim e ata janë SHBA—ja. E tash pse i bën këto poteza Albin Kurti duhet me pyet Albin Kurtin. Unë i kam përgjigjet e mija, unë mendoj që Albin Kurti është një komunist i rrezikshëm, është një majtistë radikalë që ka lexuar literaturë veç kështu skajshmërish radikale majtiste në kontingjentin e të cilës ka vetëm anti-amerikane…”, ka thënë Kastrati në “Debat Plus”.
Kastrati ka theksuar se të tjerët në VV përveç, Kurtit, Dejona Mihalit dhe Boiken Abazit, janë kukulla që dirigjohen nga këta të fundit.
“Aty e ke Dejona Mihain, aty e ke Bojken Abazin, krejt kësi janë, këta të tjerët janë sikur ato kukullat me tele që i dirigjojnë këta. S’ka nur tre numër katër në VV, ‘one man show’ ky edhe Dejona e ata tjerët. Sepse me u çu me lu me pushtetin e nervat e amerikanëve, nuk më intereson çka kanë bërë në Vietnam… na duhet me falenderu këtë gjeografi ku kemi qëllu dhe në kuadër të interesave të mëdha të tyre strategjike, na mini-interesin tonë e kemi realizuar, ndryshe kishim qenë si palestinezët e kurdët”, ka shtuar deputeti i PDK-së.
Gjithashtu, në “Debat Plus” ai e ka cilësuar kryeministrin, Kurti, si “njeri të kobshëm”.
“E kam thënë që Albin Kurti është njeri i kobshëm, sepse në çdo kauzë të tij njerëzit janë vrarë rrugëve. Ky neve na ka njoftu me gjakun nëpër rrugë, nëpër sheshe” ka thënë Kastrati.