Wuhani “i lirë”, drejt izolimit një tjetër qytet nga Covid-19 në Kinë
Qyteti kinez, ku shpërtheu për herë të parë pandemia e koronavirusit, i dha fund mbylljes totale të martën, por një tjetër qytet në veri të vendit nisi të shtrëngojë lëvizjet e qytetarëve të tij nga frika e përhapjes së një vale të dytë të infeksionit në Kinë.
Autoritetet e “vulosën” qytetin 11 milionë banorësh të Wuhanit në fund të muajit janar, me qëllim që të parandalonin përhapjen e mëtejshme të virusit. Më shumë se 50 mijë persona u infektuan në këtë qytet dhe 2500 prej tyre humbën jetën.
Më pas koronavirusi i ri u shpall pandemi globale dhe ka infektuar mbi 1.4 milionë persona dhe iu ka marrë jetën 82 mijë të tjerëve, duke krijuar një pasiguri në ekonominë globale dhe ka detyruar qeveritë e shumë vendeve të mbyllin qytetarët e tyre në shtëpi për t’u mbrojtur prej tij.
Masat shtrënguese në Wuhan tashmë janë hequr të gjitha, kjo edhe sepse në kryeqytetin e provincës Hubei raportohen vetëm 3 raste të reja me virus në 21 ditët e fundit.
Me fillimin e lëvizjes së lirë rreth 55 mijë banorë të Wuhanit pritet të largohen me tren nga qyteti vetëm në 24 orët e para, ndërkohë që 10 mijë të tjerë janë larguar me avion. Megjithatë autoritetet iu kanë bërë thirrje banorëve që të mos largohen nga provinca veçse nëse është me të vërtetë e nevojshme.
Por nuk mund të themi të njëjtën gjë për provincën tjetër të Heilongjiang, e cila raporton një rritje të rasteve të reja me Covid-19, të gjitha të importuara nga jashtë, duke qenë se është dhe një zonë kufitare me Rusinë.
Autoritetet në këtë provincë kanë nisur të marrin masa shtrënguese duke mos lejuar lëvizjen e qytetarëve, në një mënyrë të ngjashme me atë të Wuhan. Residentët duhet të qëndrojnë të mbyllur në shtëpitë e tyre dhe vetëm një herë në tre ditë një prej tyre mund të dalë për të bërë pazar.