Hovenier: Veç një organ në planet mund ta vlerësojë draft-statutin e Asociacionit – Gjykata Kushtetuese
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffery Hovenier i ka përçuar edhe një herë mesazhet amerikane drejtuar qeverisë së Kosovës së prirë nga Albin Kurti në lidhje me dialogun dhe asociacionin.
Ambasadori amerikan ka deklaruar se drafti i propozuar nga BE-ja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe nuk është dokument jozyrtar, ashtu siç ka deklaruar kryeministri i Kosovës Albin Kurti. Qartë ka thënë se vetëm Kushtetuesja mund ta vlerësojë draft-statutin e Asociaiconit.
“Komenti im i vetëm është se është dokument jozyrtar për aq kohë përderisa qeveria apo ndonjë ministri nuk e ka miratuar apo dekretuar. Pra, qartazi, ne presim që qeveria të ndërmarrë ndonjë veprim për ta dërguar atë në Kushtetuese. Kjo është mundësia e qeverisë”, ka thënë ambasadori amerikan.
“Por të jemi të qartë, ku nuk është dokument jozyrtar, nuk është diçka që vetëm e kemi dorëzuar ashtu thjeshtë në mënyrë të rastësishme. Një delegacion i përbërë nga personi më i lartë i Bashkimit Evropian, përgjegjës për dialogun Kosovë-Serbi, me këshilltarët kombëtarë të sigurisë, këshilltarët më të afërt të kancelarit, presidentit të Francës dhe kryeministres së Italisë dhe i dërguari i posaçëm i SHBA-së. E dorëzuam atë dokument duke thënë” ne besojmë se ky krijon një asociacion të komunave me shumicë serbe që i trajton të gjitha shqetësimet e ngritura, që nuk kërkon ndryshime të kushtetutës, nuk ka pushtet ekzekutiv, nuk krijon shtresë tjetër të qeverisjes, pra ka status mjaft të rëndësishëm, dhe siç i kemi thënë Kosovës, ne mendojmë se është mjaft i mirë dhe i mjaftueshëm që Kosova t’i përmbush obligimet e veta, duke përdorur këtë draft”, ka thënë ai.
Ai më tej tha se SHBA-ja dhe BE-ja do ta respektonte çfarëdo vendimi të Kushtetueses, teksa shtoi se do të prisnin që edhe Kosova ta bënte të njëjtën gjë, teksa foli edhe për propozimin e kryeministrin Albin Kurti, që drafti të dërgohet në Komisionin e Venecias nga emisari special, Miroslav Lajçak.
“Nuk e di qëllimin e këtij propozimi. Sërish, nuk besoj…. Ne e respektojmë shumë Komisionin e Venecias, por shumë ekspertë të respektuar kanë qenë të përfshirë në hartimin e këtij draft-statuti. Nuk mendoj se kemi frikë nga çka do që Komisioni i Venecias mund të bëjë me të, por nuk e zgjidh problemin themelor. Çështja siç e kuptoj unë apo siç e kam dëgjuar nga qeveria është se nuk janë të bindur se draft-statuti është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”.
“Komisioni i Venecias nuk mund të marrë një përfundim të tillë. Por, a e dini kush mundet? Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Pra, le ta dërgojmë draftin me ndonjë – sërish, keni të drejtë, kryeministri ka të drejtë, qeveria e Kosovës duhet disi t’i japë ndonjë status përtej statusit të tanishëm për ta dërguar në Gjykatën Kushtetuese. Por, nga këndvështrimi ynë, do të ishte mirë që qeveria ta ndërmarrë atë hap”, tha a
Angazhimi në dialog
Në një intervistë në Klan Kosova, ambasadori amerikan i ka bërë thirrje Kosovës që të përkushtohet në dialogun e lehtësuar nga BE-ja si mundësi drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.
Ai tha se SHBA-ja e përkrah Kosovën që të marrë vendin e saj të merituar në familjen e shteteve evropiane, por sipas tij, për këto arritje duhet përparim në dialog.
“Ne absolutisht e besojmë se ky është fati i Kosovës dhe do të mbështesim plotësisht dhe me entuziazëm avancimin e saj në institucionet evropiane si Bashkimi Evropian, Këshilli i Evropës dhe institucionet euroatlantike, si një marrëdhënie ndryshe me NATO-n dhe në fund, ne e shohim Kosovën anëtare të NATO-s”.
“Por, siç kemi folur më parë, për t’i arritur këto gjëra, duhet përparim në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Kjo është rruga për të çuar përpara këtë qëllim. Dhe për këto gjëra me këtë qeveri nganjëherë kemi pasur disa dallime, jo për atë që duam të arrijmë, por për shkak të disa taktikave apo qasjes për t’u përpjekur për t’i arritur ato”, tha Hovenier.
Kushtet e Kurtit për dialog
Ambasadori i SHBA-së Jeffrey Hovenier, ka thënë se kushtet vetëm sa pengojnë bisedimet ballë për ballë.
“SHBA-ja vazhdimisht këshillon qeverinë e tanishme dhe të mëparshmet që të angazhohen në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja në mënyrë që është konstruktive, aktive që merr çështjet me njëfarë urgjence dhe që çon procesin përpara, tregon vullnetin politik për të kontribuuar në mënyrë aktive, konstruktive dhe ndihmuese”, ka thënë ambasadori amerikan.
“Do të thosha se çdo listë me kushte apo kërkesa që pengojnë bisedimet ballë për ballë, ka mundësi që nuk i plotëson të gjitha ato kritere. Dhe shpresojmë që të dy liderët, të gjejnë vullnetin politik për të gjetur gjuhën e përbashkët, për të gjetur disa fitore për të dy palët, për ta çuar procesin përpara. Do të jem i qartë: qeveria e SHBA-së e ka thënë disa herë dhe do ta them përsëri tani: pritjet tona janë që Kosova dhe Serbia të përmbushin të gjitha obligimet e veta të arritura në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja dhe që t’i përmbushin të gjitha ato me urgjencë, pa parakushte dhe pa i lidhur me çështje të tjera të jashtme. Kjo është ajo çka presim”, ka shtuar ai.
Shqetësimet me veprimet e qeverisë
Tutje, Hovenier tha se qeveria amerikane shqetësohet kur Qeveria e Kosovës zgjedh të ndërmarrë veprime të njëanshme “në disa mënyra për vendosur sovranitetin aty ku Kosova ka sovranitet”.
“Kështu, qeveria amerikane ka dhënë disa deklarata se ne jemi të shqetësuar kur qeveria e Kosovës zgjedh të ndërmarrë veprime të njëanshme në disa mënyra për të vendosur sovranitetin aty ku Kosova ka sovranitet, por megjithatë, në mënyra që besojmë do të duhej të bëheshin përmes koordinimit me bashkësinë ndërkombëtare, përmes konsultimeve me komunitetet e prekura”.
“Pra, p.sh. e dini që ka disa muaj që kemi folur për zbatimin e rregullores së Bankës Qendrore. Ne nuk e kontestojmë autoritetin dhe përgjegjësinë e Bankës Qendrore për të qeverisur sektorin financiar në tërë territorin e Kosovës dhe natyrisht kjo përfshin edhe veriun e Kosovës, i cili është pjesë e territorit të Kosovës sovrane e të pavarur. Ne e dimë saktësisht se ku është kufiri: është në veri të lumit Ibër”, tha Hovenier.