Xavi, afër ta marrë drejtimin e Barcelonës
Xavi do të jetë trajneri i ri i Barcelonës, raporton “Goal”, derisa aventura e Ernesto Valverdes në “Camp Nou” është drejt fundit. Sipas këtyre raportimeve, thuhet se mesfushori legjendar ka qenë në bisedime të rregullta ditët e fundit me drejtorin gjeneral të Barcelonës, Oscar Grau dhe sekretarin teknik Eric Abidal.
Nuk pritet të ketë ndonjë konfirmim zyrtar para se Al-Saddi, klubi aktual i Xavit, ta zhvillojë ndeshjen finale të Kupës së Katarit, më 17 janar.
“Nuk mund ta fsheh, kjo është ëndrra ime. Ëndërroj të jem trajner i Barcelonës, e kam thënë në shumë intervista. Të gjithë e dinë se e mbështes Barcelonën nga thellësia e shpirtit, prandaj po, është një nga ëndrrat, por unë jam i fokusuar në Al-Sadd. Unë e respektoj Barcelonën, Valvderden dhe klubin tim aktual, prandaj nuk mund të them asgjë më shumë”, ka thënë Xavi.