Xavi: Fitore e madhe, jemi edhe më afër titullit
Trajneri i Barcelonës, Xavi Hernandez, nuk e ka fshehur kënaqësinë e tij për suksesin kundër Elçes që e afron edhe më shumë me titullin kampion në La Liga.
Katalanasit kanë fituar 0-4, ndonëse kanë pasur edhe mungesa të rëndësishme, veçanërisht në mesfushë, me De Jong të dëmtuar dhe Busquets që u la pushim nga trajneri për “Klasiken” në Kupën e Mbretit në mesjavë. Këto problematika i dhanë mundësi Xavit të eksperimentojë ndaj Elçes, ku një nga risitë ishte aktivizimi i Erik Garsias nga mbrojtës qendre në mesfushor. Duke komentuar pozicionin e ri të Garsias, Ksavi ka thënë se kjo ishte një ide e dhënë nga Zhordi Krojf.
“Sinqerisht, ideja e aktivizimit të Erik Garsias si mesfushor erdhi nga Zhordi Krojf. Ai ma ka thënë idenë e tij që nga viti i kaluar. Ne menduam për këtë, e diskutuam me stafin dhe e vendosëm në pozicionin e ri, që e ka bërë shkëlqyeshëm”, tha trajneri i Barcelonës. Duke u ndalur te ndeshja, Xavi ka nënvizuar se suksesi në Elçe e afron tri pikë më shumë me titullin skuadrën që ai drejton. “Jam shumë i kënaqur me rendimentin e lojtarëve. Janë aktivizuar lojtarë që kanë pasur pak hapësira dhe impakti i tyre ka qenë vërtet i shkëlqyer. Nuk dua të flas me emra të përveçëm, por të gjithë kanë bërë një punë mjaft të mirë duke ndihmuar ekipin për të marrë një tjetër fitore të rëndësishme. E donim këtë fitore dhe jam i lumtur që ia arritëm. Një sukses që na afron edhe më shumë me objektivin për t’u shpallur kampionë”, tha Ksavi.
Trajneri i Barcelonës ka përgëzuar edhe sulmuesit, të cilët gjetën rrugën e golit. Mes tyre dhe Ansu Fati, që ka pasur një javë jo të qetë si pasojë e deklaratave të babait të tij. “Kur sulmuesit shënojnë jam i kënaqur. Ansu është një lojtar shumë i rëndësishëm për mua”.