Bledi Mane: Militantët e Albin Kurtit po i paraqesin bosh plazhet e Shqipërisë, Dejona Mihali strumbullare e fushatës antishqiptare
Gazetari nga Shqipëria Bledi Mane në një lidhje direkte në Pressing në T7 foli për atë që po shfaqet në rrjete sociale se “çmimet në Shqipëri janë rritur” në sezonën e verës.
Sipas tij, militantët e kryeministrit Albin Kurti po i fotografojnë plazhet në mëngjes dhe po i postojnë në rrjete sociale “për të krijuar idenë që vendi është braktisur”.
“Dikur i quanin vëzhguesit e Edi Ramës, tani është konvertuar në patronazhistë të Vetëvendosjes, sepse cdo mëngjes në plazhet shqiptare nga Velipoja deri poshtë në Ksamil shikon militantë të Albinit tek filmojnë pa gdhirë ende dita shezllonet bosh, plazhet bosh dhe i ndajnë në rrjetet sociale për të krijuar idenë që ky vend është abandouar (braktisur) gjatë sezonit turistik”, tha Mane, transmeton Express.
Mane tha se Dejona Mihali, Koordinatore e Komiteteve të Lëvizjes Vetëvendosje, është një nga strumbullarët e kësaj fushate antishqiptare.
“Ju keni nga Shqipëria Dejona Mihali e cila është një nga vajzat që e la atdheun e saj gjithë mllef dhe trishtim dhe erdhi në Prishtinë për t’u hakmarrë qoftë politikisht, qoftë sociologjikisht. Është një nga strumbullarët e kësaj fushate antishqiptare e cila që në fillim po e them me kompetencë ka dështuar. Ka dështuar sepse ne takojmë për ditë në plazhet e Shqipërisë shqiptarë të Kosovës”, tha Mane, transmeton Express.