Xhabir Zharku: U largova nga drejtësia për shkak të padrejtësisë
Ish-kryetari i Kaçanikut, Xhabir Zharku pas kthimit nga Suedia ka folur për drejtësinë në Kosovë.
Ai në “Debat Plus” ka thënë se ka fakte se në vendin tonë nuk ka drejtësi dhe se këto fakte ua ka dhënë edhe zyrtarëve të shtetit suedez.
“E kanë thënë të gjithë politikanët e Kosovës se drejtësia në Kosovë ka dështuar. Pse unë kam vuajtur nga ky dështim e kam thënë më zëshëm. Pikërisht për shkak të deklaratave të mia se nuk ka drejtësi në Kosovë, kanë ardhur zyrtarë të lartë të EULEX-it, kanë ardhur dhe më kanë takuar mua në Suedi”, ka thënë Zharku.
I dënuari me 3 vjet burgim ka thënë se zyrtarëve të lartë të EULEX-it u ka dhënë argumente për manipulim të drejtësisë.
“Aty ka fillu, por nuk i jap të drejtë vetes të them se nuk ka pas edhe gjëra tjera, por një nga ato deklaratat që unë kam dhënë janë shqyrtu. Janë shqyrtuar dhe argumentet që u kam ofruar zyrtarëve të lartë të EULEX-it, që kanë ardhur për ta hetuar EULEX-in në Kosovë”, ka deklaruar ai.
Ai ka treguar pse mori vendim të largohet nga Kosova duke mos u përballë me drejtësinë.
“Nuk kam pas rrugë tjetër pos të largohem nga drejtësia, për shkak të padrejtësisë. Kam bërë përpjekje maksimale të dëshmojë pafajësinë time”, ka shtuar më tej Xhabir Zharku.