Xhaçka, Dendiasit: Çështja “Beleri” nuk duhet të ndikojë në marrëdhëniet dypalëshe
Ministrja e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Olta Xhaçka ka dhënë detaje nga takimet e saj në Bruksel në kuadër të Këshillit të Punëve të Jashtme të Bashkimit Evropian.
Qëllimi i takimit me ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian si dhe ministrat e Jashtëm të Ballkanit Perëndimor, sipas Xhaçkës ishte thellimi i dialogut midis BE-së dhe Ballkanit për çështje të politikës së jashtme dhe të sigurisë, në kuadrin e rëndësisë gjithnjë e më të madhe që BE-ja po na kushton në kontekstin aktual gjeopolitik.
“Pata kënaqësinë të takohem me kolegët e mi, ministra të jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian si dhe ministrat e jashtëm të Ballkanit Perëndimor, në kuadër të Këshillit të Punëve të Jashtme të Bashkimit Evropian. Qëllimi i takimit ishte thellimi i dialogut midis BE-së dhe vendeve tona për çështje të politikës së jashtme dhe të sigurisë, në kuadrin e rëndësisë gjithnjë e më të madhe që BE-ja po na kushton në kontekstin aktual gjeopolitik”, ka thënë ajo.
Xhaçka ka treguar se gjatë takimit me ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias ishte një mundësi e mirë për të diskutuar mbi çështjen “Beleri”.
Ajo ka theksuar qartazi se kjo është një çështje gjyqësore që nuk duhet të ndikojë në faqen e re që kanë hapur në marrëdhëniet dypalëshe të dyja vendet.
“Kjo nuk është as çështje e të Drejtave të Njeriut, as politike, e jo më një çështje dypalëshe. Z. Beleri gëzon të njëjtat të drejta si çdo qytetar tjetër shqiptar dhe asnjë qytetar shqiptar nuk është mbi ligjin. Blerja e votës është një shkelje e rëndë e ligjit tonë dhe çështja e tij tashmë është në gjykatë. E vetmja gjë që ne të gjithë mund të bëjmë është të presim me durim që procesi të ecë në rrjedhën e tij dhe të mos paragjykojmë apo hamendësojmë atë”, ka thënë Xhaçka.