Xhafer Gashi bashkë me Iniciativën Qytetare, pritet t’i bashkohet ish-bashkëluftëtarit të tij në LDK
Kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, së bashku me anëtarët e Iniciativës Qytetare, që drejtohet nga ai, shumë shpejt mund të kalojnë në Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Burime të Gazeta Blic, bëjnë me dije se brenda pak kohësh pritet të ndodhë zyrtarizimi i Gashit në LDK.
Siç mëson gazeta, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni, është iniciator dhe negociues i aderimit të Xhafer Gashit në LDK, pasi që të dy janë miq të ngushtë, që nga koha e luftës së fundit, duke qenë bashkëluftëtarë në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Gazeta Blic, ka kontaktuar me vetë Gashin, për të marrë një deklarim nga ai, por që i njejti as nuk e ka mohuar e as pohuar.
Gashi ka thënë se nuk mund të flas, për shkak që nuk e njeh personalisht gazetarin, përkundër prezantimit të këtij të fundit.
”Jo, nuk mundem me folë për këtë gjë. Unë nuk të njoh ty. Cakto naj termin për të hënën ose të martën dhe mundesh me ardhë në zyre me folë…”, ka thënë ndër të tjera Gashi.
Për këtë çështje, Gazeta Blic ka folur edhe me deputetin e LDK-së, Anton Quni.
Sikurse Gashi, as Quni nuk e mohuar një gjë të tillë.
Madje, ai e ka konfirmuar se si temë bashkimin e Xhafer Gashit e ka në konsideratë.
”Është e vërtetë që me z. Xhafer Gashi kam raporte të mira që nga viti ’98, fillimisht si bashkëluftëtarë. Po ashtu, e vlerësoj punën e tij si i pari i Komunës së Obiliqit, e që u dëshmua edhe me votë nga qytetarët. Si mik do të ndjehesha mirë po që se z. Gashi në një të ardhme do të punonte nën logon e LDK-së. Por, nuk mjafton vetëm vullneti i mirë si rezultat i miqësisë tonë, përderisa procesi është shumë më kompleks. Sidoqoftë, është temë e cila evoluon dhe e kam në konsideratë”, ka thënë Quni për Gazeta Blic.
Xhafer Gashi, për shumë vite ka qenë anëtar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës – parti nga e cila dha dorëheqje gjatë këtij viti.
Gashi së fundmi arriti të sigurojë edhe një mandat katër vjeçar në krye të Komunës së Obiliqit, ku garoi si kandidat i Iniciativës Qytetare për Obiliqin.