Xhafer Gashi kalon në LDK
Kryetari i Obiliqit, Xhafer Gashi, bashkë me strukturat e Iniciativës Qytetare në Obiliq kanë kaluar në LDK.
Lajmin e ka bërë të ditur vet Gashi i cili ka falënderuar elektoratin për besimin e dhënë në zgjedhjet e fundit lokale.
Gashi thotë se Këshilli Drejtues i Iniciativës Qytetare për Obiliq ka marrë vendim për pushimin e aktivitetit politikë të strukturave të Iniciativës Qytetare për Obiliq dhe kalimi i këtyre strukturave në procesin e reformimit në Lidhjen Demokratike të Kosovës dega në Obiliq.
“Një vendim i tillë, vjen pas konsultimeve dhe bashkëbisedimit të vazhdueshëm brenda strukturave tona dhe bashkimi në një parti si Lidhja Demokratike e Kosovës, vjen si rezultat i përkrahjes së shumicës së elektoratit të kësaj partie për të tri (3) garat radhazi në zgjedhje lokale si dhe bazuar në parimin e besimit dhe vizionit të përbashkët për realizimin e projekteve madhore për qytetin e Obiliqit”.
Kryesia e LDK-së ka shpallur zgjedhjet e brendshme në disa degë.
Njëra ndër degët që do të shkojë në zgjedhje është edhe Obiliqi.
Megjithatë Kryesia e Degës së LDK-së në Obiliq, ka shprehur pakënaqësi në lidhje me procesin zgjedhor që është duke u zhvilluar.
LDK në zgjedhjet e fundit lokale ka fituar në tetë komuna derisa me Obiliqin bëhet partia që menaxhon më së shumti komuna në Kosovë.
Kujtojmë Gashi ka qenë pjesë e AAK-së, derisa në zgjedhjet e fundit ka garuar me një iniciativë të vetën qytetare.