![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2024/02/grubi.jpg)
Xhaferi dhe Ahmeti vijnë sot në Prishtinë, s’kanë punë me Kurtin
Kryeministri Talat Xhaferi, i shoqëruar nga kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, sot do të jenë të pranishëm në Prishtinë. Ata do të marrin pjesë në përurimin e librit “Shtet i ri, burrë shteti modern: Hashim Thaçi, një biografi”, nga autorët Roger Boyes dhe Suzy Jagger.
“Ky promovim po organizohet në shenjë të 16-vjetorit të shpalljes së Kosovës shtet i pavarur dhe demokratik. Kosova ka hyrë në vitin e katërt prej kur presidenti Thaçi, figura kryesore e pavarësisë, po mbahet padrejtësisht në Hagë, të cilit nuk i është mundësuar madje as arresti shtëpiak, as atij dhe as bashkëluftëtarëve të tij”, ka thënë Ismail Syla, ish-këshilltar i Thaçit.
Ky libër i gazetarëve të njohur britanikë, në gjuhën shqipe është sjellë nga shtëpia botuese “Fan Noli”. Përkthimi i librit është bërë nga ish-ministrja e jashtme e Shqipërisë, diplomatja e njohur Arta Dade.
Deri tani nuk dihet ende nëse në promovim do të jetë prezent kryeministri kosovar, Albin Kurti.
Promovimi do të bëhet në orën 17:00, në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë dhe ai organizohet nga Shtëpia Botuese “Fan Noli” në bashkëpunim me Fondacionin “Përkrahje për Mbrojtjen Juridike të Hashim Thaçit”.