Xhaferi: Ligji për gjuhët do të dekretohet bashkë me ndryshimet kushtetuese
Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, ka vlerësuar se gjatë vitit 2018 ligjvënësit maqedonas kanë arritur t’i realizojnë pritjet nga aspekti legjislativ.
Në takimin tradicional të fundvitit me gazetarët, Xhaferi ka deklaruar se nuk mund të veçojë ndonjë çështje, pasi siç ka thënë viti që po lëmë pas ka qenë i stërmbushur me zhvillime, siç janë Marrëveshja e Prespës, ratifikimi i saj, ndryshimet kushtetuese, buxheti dhe një sërë çështjesh të cilat kanë karakterizuar vitin.
“Sidoqoftë, Kuvendi ka arritur të përmbush pritjet e qytetarëve, për çka flasin dhe anketat e institucioneve relevante, në të cilat Kuvendi është vlerësuar në mënyrë adekuate”, ka thënë Xhaferi.
Kryeparlamentari Xhaferi, ka komentuar edhe zhvillimet politike, me theks të veçantë mosdekretimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve dhe Marrëveshjen e Prespës nga ana e presidentit Gjorge Ivanov. Ai ka thënë se dekreti i presidentit është një detyrim ligjor të cilin ai nuk e ka përmbushur.
Në këtë kontekst, ai ka thënë se kjo do të bëhet përmes nënshkrimit të tij, por pa precizuar kohën, megjithatë ka bërë me dije se kjo do të ndodhë bashkë me dekretimin e ndryshimeve kushtetuese.
“Seanca për ndryshimet kushtetuese është thirrur për 9 janar, dhe sipas dinamikës do të mbarojë shpejtë. Supozimet janë maksimum deri më 15 janar, por jo detyrimisht, mundet edhe më herët. Të dy ligjet do të shkojnë bashkërisht në Gazetën Zyrtare”, ka thënë Xhaferi.