Xhaferi optimist për referendumin: Edhe elektorati i opozitës do votojë pro
Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, është shprehur optimist për referendumin e 30 shtatorit, ku qytetarët maqedonas do të votojnë për pranimin apo jo të marrëveshjes për emrin ndërmjet Maqedonisë dhe Greqisë.
Në një intervistë në “Info Magazine” të “Klan Kosova”, Xhaferi e ka quajtur 30 shtatorin datë historike që do të ketë ndikim në të ardhmen e shtetit maqedonas.
“30 shtatori, dita e votimit për referendumin është ditë me peshë historike për faktin se vendi im, në këtë moment historik, do të vendosë për të ardhmen e Maqedonisë, që të jemi pjesë e barabartë në strukturat euroatlantike”, ka thënë ai.
Deklaratat e akterëve ndërkombëtare në lidhje me kalimin e këtij referendumi dhe takimet e fundit me liderët rajonal, duke përfshire këtu edhe vizitën e kryeparlamentarit të Kosovës, Kadri Veseli, Xhaferi i ka cilësuar si kujdes.
“Isha nikoqir i homologut Kadri Veseli, i cili edhe drejtpërdrejtë përcolli përcaktimet e Kosovës për respektim të statusit të Maqedonisë, si shtet sovran me integritet territorial të pranueshëm dhe të respektueshëm nga ana e fqinjit tone verior, Kosovës”.
“Këto vizita korrespondojnë me atë përcaktim të fqinjëve dhe të bashkërenditësve tanë ndërkombëtar në gjithë këtë proces për tre dekada me radhë. Nuk është insistim i tyre, por përkujdesje. Nuk mund të llogaritet presion përkujdesja e miqve për faktin se Republika e Maqedonisë edhe formalisht edhe juridikisht ka të përcaktuar partner strategjik SHBA-të, ka të definuar juridikisht dhe ligjërisht në kontekstin e marrëdhënieve ndërkombëtare BE-në për partner strategjik si dhe ka të përcaktuar NATO-n për partner strategjik. Kjo nënkupton përkushtim të miqve për të parë mikun e radhës të jetë bashkërenditës i barabartë i plotfuqishëm me votë të barabarte në strukturat euroatlantike”, ka thënë ai.
Më tutje, Xhaferi ka thënë se vota “për” në referendumin e 30 shtatorit do të ketë edhe nga mbështetësit e partisë opozitare VMRO-DPMNE, pasi sipas tij, qytetarët maqedonas janë të vetëdijshëm që do të vendosin për të ardhmen e tyre.
“Besoj se elektorati që ka mbështetë VMRO-DPMNE, jo të gjithë ata, mendojnë ndryshe nga ajo çka është përcaktimi apo prezantimi publik i subjektit që kanë mbështetur. Unë kam besim të plotë se ata rezonojnë me nevojën historike që ata të vendosin vetë për fatin e tyre. Besoj se një pjesë e konsiderueshme e trupit votues që kanë mbështetë për vite me radhë VMRO-DPMNE kanë përcaktimin që të mbështesin referendumin e 30 shtatorit”, ka thënë Xhaferi.