Xhaferi takohet me emisarin britanik, ja për çfarë biseduan
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, ka zhvilluar të mërkurën një takim me Stuart Peach, emisar i Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor.
Xhaferi dhe Peach kanë biseduar për disa çështje aktuale në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ecjen përpara, sigurinë në Evropë derisa ka luftë në Ukrainë dhe bashkëpunimin Britani – Maqedoni e Veriut.
Një hapësirë në këtë takim i është dhënë katërvjetorit të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO, ka njoftuar Qeveria e Maqedonisë së Veriut
“Duke falënderuar Lordin peach për mbështetjen e tij të mëparshme në rrugën tonë euroatlantike dhe duke kujtuar praninë e tij personale në momentin historik të ngritjes së flamurit të Republikës së Maqedonisë së Veriut para selisë së NATO-s në Bruksel më 27 mars të vitit 2020, Kryeministri theksoi vendosmërinë që Maqedonia e Veriut të vazhdojë të jetë anëtare aktive dhe e besueshme e Aleancës, e përkushtuar për sigurinë përmes unitetit, si dhe marrëdhëniet tona të forta me Mbretërinë e Bashkuar”, ka njoftuar qeveria.
Në anën tjetër, Peach ka theksuar përkushtimin e Britanisë së Madhe për të vazhduar në mënyrë aktive të bashkëpunojë me Maqedoninë e Veriut si aleat në NATO dhe të vazhdojë të mbështesë modernizimin e mbrojtjes.