Xhaferi takon ndihmës sekretarin e OKB-së për çështje politike
Ndihmës sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara (OKB) për Çështje Politike, Miroslav Jença, i cili qëndron për vizitë në Maqedoni, është pritur në një takim nga kreu i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi.
Në takim e pranishme ishte edhe koordinatorja e përhershme e OKB-së në Maqedoni, Louisa Vinton.
Përmes një njoftimi të lëshuar nga kabineti i kreut të Kuvendit të Maqedonisë bëhet e ditur se Xhaferi në takim ka theksuar se Maqedonia, si anëtare e OKB-së që nga viti 1993, kontribuon në mënyrë aktive në të gjitha agjencitë dhe programet e saj.
“Vendi mbetet i përkushtuar ndaj angazhimeve për respektimin e obligimeve që rrjedhin nga anëtarësimi në fushën e të drejtave të njeriut, joproliferimin e armëve, luftën lundër terrorizmit, ndryshimet klimatike dhe implementimin e qëllimeve zhvillimore të mileniumit, por edhe në përkrahjen e misioneve paqësore të Organizatës në Liban – UNIFIL”, ka theksuar Xhaferi.
Kryeparlamentari maqedonas ka informuar të pranishmit se Kuvendi i Maqedonisë, më 22 dhjetor të vitit 2017, e ratifikoi të ashtuquajturën Konventë të Stambollit të Këshillit të Evropës për parandalimin dhe luftën kundër dhunës ndaj grave dhe shumës familjare, me çka mundësohet implementimi i obligimeve nga Konventa në praktikë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sa i takon proceseve të eurointegrimit, siç thotë njoftimi, Xhaferi e theksoi përkushtimin e Qeverisë dhe të Kuvendit për zbatimin e Planit 3-6-9, hapat e ndërmarra në raport me përmirësimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore nëpërmjet nënshkrimit dhe ratifikimit të Marrëveshjes për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim me Bullgarinë, si dhe masat për ndërtimin e besimit dhe gjetjen e zgjidhjes së pranueshme të përbashkët për kontestin me Greqinë.
“Pas hapave të ndërmarra, pritja e pranimit të raportit pozitiv me rekomandim të pakushtëzuar për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE dhe për konstatimin e anëtarësimit të vendit në NATO këtë vit është i pakontestueshme”, ka thënë Xhaferi.
Më tej në njoftim thuhet se ndihmës sekretar gjeneral i OKB-së për Çështje Politike, nga ana e tij, e përuroi Xhaferi për udhëheqjen në qetësimin e situatës në Kuvend dhe për zbatimin e reformave të domosdoshme, për të cilat “OKB e tregon solidaritetin e vet dhe i përkrah angazhimet për ardhmërinë evropiane të të gjithë qytetarëve në vend”.
Me këtë rast, ai e potencoi faktin se ambasadorja Vinton dhe ekipi i saj në vend janë në dispozicion për të ndihmuar gjatë zbatimit të këtyre reformave.
Në lidhje me çështjen e emrit, Jença konstatoi se ky është momenti i vërtetë dhe se OKB do t’i përkrah të gjitha përpjekjet që të dyja palët të ecin përpara dhe të gjendet zgjidhje e cila do të ketë kontribut jo vetëm në marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy vendeve, por edhe më gjerë për stabilitetin e rajonit.
Në fund, ai e nënvizoi domethënien e ndërtimit të konsensusit në shtet rreth qëllimeve strategjike, siç është anëtarësimi në NATO dhe në Bashkimin Evropian.