Xhaferi, Tsiprasit: Marrëveshja e Prespës ia hapi Maqedonisë rrugët e integrimit
Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, ka pritur në takim kryeministrin e Greqisë, Aleksis Tsipras, në kuadër të vizitës zyrtare të këtij të fundit në shtetin fqinj.
Xhaferi, duke e vlerësuar takimin si historik, ka uruar të dy kryeministrat, atë të Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, për guximin dhe për hapat e ndërmarra me të cilat është tejkaluar kontesti me dekada ndërmjet të dyja vendeve dhe në këtë mënyrë është hapur rruga për integrimin euroatlantik të Maqedonisë.
“Si parlament, i mbështesim të gjitha angazhimet për shndërrimin e bashkëpunimit kontraktues në projekte konkrete, që presim të marrin në intensitet në të ardhmen”, ka thënë Xhaferi.
Ai ka theksuar se pas hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Prespës është vendosur korniza juridike, e cila sipas tij do të mundësojë bashkëpunim parlamentar në mes të dy vendeve.
Në këtë kontekst, Xhaferi ka informuar të pranishmit për ftesën e dërguar tek kolegu i tij Nikollaos Vucis që të realizojë vizitë bilaterale në Maqedoninë e Veriut, si dhe për kërkesën e dërguar të pala greke për formimin e grupit për miqësi në mes të dy parlamenteve.
Ndërsa, kryeministri i Greqisë, Aleksis Tsipras, duke falënderuar Xhaferin për mbështetjen e dhënë, ka theksuar se në periudhën e kaluar janë miratuar vendime të mëdha nga Kuvendi i Maqedonisë. Për këtë, ai ka uruar kryeparlamentarin Xhaferi për maturin e treguar gjatë procedurës institucionale në lidhje me Marrëveshjen e Prespës.
“Qeveria greke ndërmori hapa për mbështetjen e proceseve eurointegruese të vendeve të Ballkanit Perëndimor sepse beson se kjo është rruga që do ta sigurojë paqen dhe stabilitetin që është me rëndësi edhe për popujt e këtyre vendeve”, ka thënë Tsiprasi.
Gjatë vizitës zyrtare në Maqedoninë e Veriut, Tsiprasi është takuar edhe me homologun maqedonas, Zoran Zaev.