Xhaka: Arteta më bëri sërish të lumtur në Arsenal
Mesfushori i Arsenalit, Granit Xhaka, e ka pranuar se trajneri Mikel Arteta e kishte bindur të qëndrojë në klub dhe thotë se, falë tij, tani ndihet i lumtur dhe e bën atë që i pëlqen më së shumti; të luajë futboll për ekipin e “Topçinjve”.
Pasi ishte lënë jashtë nga Unai Emery, Xhaka së pari u rifut në ekip nga trajneri i përkohshëm Freddie Ljungberg, para se Arteta të vinte në postin e trajnerit dhe ta theksonte rëndësisë e shqiptarit për Arsenalin.
“Tani më duhet të buzëqesh paksa, sepse jam shumë, shumë i lumtur që jam kthyer dhe po e shijoj atë që e dua më së shumti: të luaj për këtë klub dhe të luaj futboll”, ka thënë Xhaka. “E pata një takim shumë, shumë të mirë me atë (Artetan), tri ditë pasi ai erdhi në klub. Ai m’i tha shumë gjëra dhe unë isha shumë i hapur me të, siç ishte edhe ai shumë i hapur me mua”, shtoi 27-vjeçari. “Dhe tani të jemi këtu, të dy shumë të lumtur për ta çuar këtë klub aty ku e ka vendin”, theksoi shqiptari.