Xhakës i është hequr shiriti i kapitenit
Mesfushorit Granit Xhaka i është hequr shiriti i kapitenit në ekipin e Arsenalit, ka konfirmuar menaxheri Unai Emery.
Emery po ashtu ka konfirmuar se Pierre-Emerick Aubameyang do të zëvendësojë Xhakën në pjesën e mbetur të sezonit.
Emery ka bërë të ditur se e ka njoftuar Xhakën për lajmin në mëngjesin e së hënës dhe ka thënë se Xhaka “ka pranuar” vendimin.
Duke mos pranuar të japë arsyet pse e ka hequr Xhakën nga grupi i kapitenëve, Emery ka thënë se “kjo temë është e mbyllur”.
Se a do të luajë më Xhaka për Arsenalin, Emery ka thënë se “e ardhmja është e Arsenalit”.
Vendimi i Emeryt vjen një javë pasi Xhaka u përplas me tifozët e Arsenalit në ndeshjen me Crystal Palacen në Premier Ligë. Xhaka kishte sharë tifozët që e fishkëllenin gjatë largimit nga fusha, ndërsa ishte larguar drejt tunelit për të mos u ndalur në bankën rezervë. Më pas Xhaka kishte kërkuar falje pas katër ditësh, duke thënë se “kishte shpërthyer” pas shumë fyerjeve e abuzimeve që kishte përjetuar muajve të fundit.