Xhaka: Kemi eksperiencën për të shkruar historinë
Pasi siguroi kalimin në fazën e 1/8-ave të Euro 2020-ës, si një nga vendet e treta më të mira, Zvicra do të përballet me Francën, një nga kandidatet kryesore për t’u ngjitur në majën e kontinentit. Helvetët janë të ndërgjegjshëm për forcën e kundërshtarit dhe faktin që ata janë favoritë për të kaluar në çerekfinale, por nëpërmjet kapitenit Granit Xhaka shprehen se janë gati për të tentuar surprizën e madhe.
“Në tre edicionet e fundit jemi eliminuar në fazën e 1/8-ave, por këtë herë duam t’i shkojmë deri në fund kompeticionit dhe në skuadër kemi eksperiencën e duhur për të shkruar historinë. Jemi të qetë dhe të relaksuar, pasi e dimë mirë që nëse japim 100 %-shin tonë, mund të bëjmë diçka të madhe, ndonëse Franca mbetet favoritja e madhe”, ka thënë Xhaka.
Futbollisti me origjinë shqiptare do të ketë shumë punë në mesin e fushës, pasi do të duhet të përballet me dy emra të mëdhenj të këtij sporti si Paul Pogba dhe Ngolo Kante, por Xhaka thotë se i njeh mirë të dy mesfushorët, pasi është përballur me ta edhe në kampionatin anglez.
“I njoh mirë Pogba dhe Kante nga kampionati Anglez dhe janë futbollistë shumë cilësorë. Pogba ka cilësi të mëdha dhe mund të vendosë i vetëm një ndeshje, ndërsa Kante është shumë i mirë në lojën pa top, por edhe atë me top. Megjithatë ne nuk do të fokusohemi te këta të dy lojtarë, por te Franca në tërësi, pasi ata kanë shumë futbollistë cilësorë”, ka shtuar Xhaka.