Xhaka: Krenar që luajta në stadiumin që mban emrin e legjendës Fadil Vokrri
Mesfushori i Arsenalit, Granit Xhaka, ka thënë se ndihet i lumtur dhe krenar që pati rastin të luajë në stadiumin që e mban emrin e legjendës Fadil Vokrri për nder të 20-vjetorit të çlirimit të Prishtinës.
Të shtunën në mbrëmje u zhvillua ndeshja e yjeve, ku ekipi i Granit Xhakës luajti ndaj ekipit të Milot Rashicës. “Nder dhe privilegj kur feston me stadiumin plot 20-vjetorin e çlirimit të Prishtinës, vendlindjes së prindërve të mi. Vërtet isha i emocionuar si kurrë më parë, pasi që po zhvilloja ndeshjen në stadiumin që mban emrin e legjendës ‘Fadil Vokrri’, po ashtu përkrahja që marr nga Kosova më jep motiv dhe forcë të punoj e ku do që jam të tregoj se nga i kemi rrënjët”, ka thënë Xhaka. “Ju falënderoj të gjithëve që ishit të pranishëm! Dashuria dhe përkrahja juaj ma kanë mbushur zemrën duke mos u kursyer asnjëherë që të jem në mesin tuaj”, ka deklaruar Xhaka.
Në ndeshjen që përfundoi 4-4 pjesëmarrës ishin edhe yjet e tjerë të futbollit si Mërgim Mavraj, Armend Dallku dhe Ermir Lenjani, por edhe ish-futbollistët e njohur si Eroll Salihu, Debatik Curri, Blerim Rrustemi dhe Shefki Kuqi.