Xhaka: Ndaj Anglisë luajta me një këmbë, nuk mund të gjuaja në portë
Nëse Zvicra arriti deri në çerekfinalet e “Euro 2024”, një meritë të madhe për këtë kishte Granit Xhaka. Kapiten dhe lider në fushë, mesfushori ishte “truri” i manovrave për skuadrën e tij. Paraqitja e shkëlqyer e futbollistit bëhet akoma më shumë heroike, pasi vetë Xhaka ka zbuluar se në sfidën kundër Anglisë luajti vetëm me një “këmbë”, për shkak të një lëndimi.
“Tani mund ta them: të hënën u diagnostifikova me një fibër muskulore të çarë në aduktorët e mi. Por unë doja të isha aty për ekipin dhe të shtrëngoja dhëmbët. Nuk mund të godisja topa të gjatë ose të gjuaja në portë gjatë lojës”, u shpreh kapiteni shqiptaro-zviceran.
Zvicra u eliminua vetëm pas goditjes së 11-metërshave në sfidën kundër Anglisë, duke e bërë më të dhimbshme daljen nga Kampionati Evropian. “Është e vështirë të gjesh fjalët e duhura tani. Nuk mendoj se mund të thuash diçka të keqe për askënd në ekip apo staf. Nuk ka rëndësi nëse është e drejtë apo e padrejtë. Të gjithë dhanë gjithçka dhe ne mund të jemi krenarë. Ne nuk patëm fatin në anën tonë në penallti”, ka thënë më tej “ylli” i “Helvetëve”.
Pavarësisht eliminimit, Xhaka dhe shokët e tij mund të kthehen me kokën lart në shtëpi, pasi në tre ndeshjet e fundit u përballën dhe tre gjigandë të futbollit evropian si Gjermania, Italia dhe në fund Anglia, ku luajtën si të barabartë e madje mund të thuhet se ishin dominant në disa raste.