Xhaka: Në Zvicër e kemi filluar me më pak se zero
I fortë fizikisht, por edhe më tepër në aspektin psikologjik. Granit Xhaka ia ka dalë që të përballojë një situatë të vështirë tek Arsenali, atje ku tifozët e kritikojnë thuajse në çdo ndeshje, shpeshherë pa të drejtë.
Mesfushori shqiptar ia doli edhe në momentin që i gjithë stadiumi me tifozët e Arsenalit nisën që të vërshëllenin kundër tij. Nga buron kjo forcë e Xhakës? Pa dyshim që nga e shkuara e tij. Një cilësi që i përket edhe babait, Ragipit, i cili nga viti 1986 kaloi tre vjet e gjysmë si i burgosur politik. Më pas, kur ai doli nga burgu, familja shkoi jashtë vendit.
“Në Zvicër e kemi filluar me më pak se zero. Nuk kishim asgjë dhe nuk njihnim askënd atje. Është e vështirë për njerëzit sot që ta kuptojnë këtë lloj situate, për të ditur se si ndihet një refugjat politik që është i ri në moshë. Pa dyshim që është pjesë e karakterit tim tani që të jem një person i fortë. Nuk kam ikur kurrë nga asgjë. Ka pasur komente nga Evra dhe Henry. Ata flasin për lojtarë të caktuar. Disa herë këta ekspertë provokojnë me komentet e tyre”, ka thënë Xhaka.