Xhaka: Nëse më ofrohet shiriti i kapitenit përsëri do të mendoj dy herë
Granit Xhaka ka zbuluar se koha kur Arsenali vendosi ta marrë shiritin e kapitenit të skuadrës ka qenë periudha më e vështirë në karrierën e tij dhe se kishte pasur frikë se nuk do të luante kurrë më për klubin londinez.
Mesfushori shqiptar thotë se do të mendojë dy herë nëse i ofrohet mundësia për t’u bërë kapiten përsëri.
“Natyrisht, nuk mund t’ju gënjej. E mendova në atë moment, sepse nuk ka qenë e lehtë për mua dhe familjen time. Shpresoj se njerëzit më kuptojnë. Por mendoj se tregova karakter. Unë nuk jam person që ik. Gjithmonë i them klubit: ‘Përderisa të jem këtu, do të jap gjithçka nga vetja’. Gjithmonë ka qenë kështu”, ka thënë Xhaka.
“Unë e di çfarë mund t’i ofroj këtij ekipi me apo pa shiritin e kapitenit. Nuk desha ta pranoj shiritin e kapitenit kundër Palace, por Sokratis dhe David Luiz më thanë se duhej ta pranoja. Nëse një ditë klubi më kërkon të bëhem kapiten, do të mendoj dy herë”, ka shtuar Xhaka.