Xhaka shpallet më i miri në Zvicër, Ragip Xhaka: Vazhdo të na bësh krenar
Granit Xhaka është zgjedhur mbrëmë futbollisti më i mirë i vitit në Zvicër në gala mbrëmjen “Sports Awards 2024”.
Ylli kosovar shkëlqeu në 2024-shin me paraqitje mbresëlënëse me Bayer Leverkusenin dhe me Kombëtaren e Zvicrës. Prandaj edhe nuk kishte dyshim se ai do ta zgjidhej më i miri i shtetit “Helvetik”. Babai i ish-futbollistit të Arsenalit, Ragip Xhaka është shprehur krenarë me të arriturën e djalit të tij.
“Urime djali im, Granit, për çmimin ‘Lojtari më i vlefshëm’ në Zvicër për vitin 2024! Me fanellën tënde me numrin 34, ti ke shkruar histori këtë vit – duke fituar kampionatin dhe kupën me Bayer Leverkusen, duke udhëhequr skuadrën si lider në çdo hap të rrugës, dhe duke arritur çerekfinalet me Kombëtaren e Zvicrës në Kampionatin Evropian. Madje, nominimi yt për Ballon d’Or është një tjetër arritje që na bën të gjithëve krenarë! Jam krenar për përkushtimin dhe pasionin tënd që frymëzon miliona njerëz. Vazhdo të na bësh krenar dhe të shkëlqesh gjithmonë!”, ka shkruar Ragip Xhaka.