Xhaka: Trajneri na transmeton urinë dhe dëshirën për të fituar, vrapon si ne në stërvitje
Bayer Leverkusen është ende i pamposhtur pas 27 ndeshjeve të sezonit (24 fitore dhe 3 barazime) dhe meritë e madhe për këto rezultate ka puna e trajnerit Xabi Alonso. Mesfushori shqiptar i “Aspirinave”, Granit Xhaka ka vlerësuar në maksimum teknikun spanjoll.
“Do të vijë dita kur Xabi Alonso do të hedhë hapin e madh, është krejtësisht normale në futboll. Por sot ne nuk e kemi ndjesinë se diçka e tillë është në mendimet e tij. E shohim çdo ditë, ai vrapon pothuajse më shumë se ne në stërvitje. Xabi na transmeton urinë e tij dhe dëshirën për të fituar. Dhe, sigurisht që edhe ne përpiqemi të tregojmë se duam të njëjtën gjë. Për sa kohë që të jetë këtu, ne do të argëtohemi. Mendoj se edhe atij i pëlqen skuadra që ka për momentin. Sigurisht që ka avantazhin e njohjes së futbollit në të gjithë aspektet. Pasi ka fituar një mentalitet fituesi si futbollist. Besojeni ose jo, ne nuk flasim fare në dhomat e zhveshjes për titullin apo fitimin e trofeve. Forma ime? Mendoj se nuk kam bërë një punë të keqe gjatë viteve të fundit, përndryshe nuk do të isha këtu ku jam. Kam pasur një karrierë të shkëlqyer dhe ndihem shumë rehat te Leverkuseni. Gjithashtu jam në formë shumë të mirë”, ka thënë Xhaka.