Xhaka tregon kush ia kishte paguar dënimin për festimin me shqiponjë kundër Serbisë
Granit Xhaka ka bërë të ditur se dënimin prej 10 mijë frangash, për festimin me shqiponjë në ndeshjen e Kupës së Botës 2018 kundër Serbisë – atij dhe Xherdan Shaqirit ia kishte paguar një biznesmen shqiptar.
Xhaka dhe Shaqiri shkaktuan tërmet dhe reagime të mëdha – sidomos ankesa nga Serbia e cila i akuzoi ata për festim politik të golave – kur i festuan dy golat e fitores së Zvicrës 2:1 kundër Serbisë në një ndeshje të Grupit E në Botërorin e Rusisë duke e bërë shqiponjën dykrerëshe, që është simbol në flamurin kombëtar shqiptar, shkruan “Gazeta Express”.
Dyshja nga Kosova rrezikoi pezullim të gjatë, por FIFA vendosi kundër një vendimi të tillë dhe i dënoi ata vetëm me gjoba.
Mesfushori i Arsenalit dhe sulmuesi i Liverpoolit u gjobiten me nga 10 mijë franga zvicerane secili, por morën edhe një paralajmërim nga organi qeverisës i futbollit botëror se do të ndëshkohen rëndë nëse e përsërisin të njëjtën gjë në të ardhmen.
Xhaka – i cili është në Prishtinë aktualisht për “Lojën e Yjeve”, ku skuadra e tij do të përballet me atë të Milot Rashicës për bamirësi – ka bërë të ditur se një biznesmen shqiptar ia kishte paguar dënimin e FIFA-s.