Xhamitë nuk do të hapen as për falje të fitër bajramit

16 maj 2020 | 09:19

Hapja e xhamive nuk do të jetë në listën e masave lehtësuese të fazës së dytë që pritet të hyjë në fuqi nga 18 maji. Kështu ka vendosur kryesia e Bashkësisë Islame, e cila, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë , kanë vlerësuar se ekziston ende rreziku i përhapjes së pandemisë COVID-19.

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, pasditen e djeshme ka pritur në takim ministrin në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia, me të cilin ka diskutuar për gjendjen aktuale në Kosovë nga pandemia globale Covid-19, ku edhe është bërë me dije se xhamitë do të vazhdojnë të jenë të mbyllura, pavarësisht që gjendemi në muajin Ramazan. Madje edhe për Festën e Fitës Bajramit, e cila do të festohet më 24 maj.

Në komunikatën e BIK-ut thuhet se myftiu i vendit fillimisht ka falënderuar të gjithë besimtarët myslimanë për mirëkuptimin që kanë pasur gjatë gjithë kësaj kohe, duke respektuar, në rend të parë, rekomandimet e Ministrisë së Shëndetësisë, së bashku me ato të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, në veçanti edhe vendimet e Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës.

“Për Bashkësinë Islame të Kosovës ka qenë tejet e vështirë pezullimi i faljeve me xhemat i namazeve ditore dhe tubimeve të tjera”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se Bashkësia Islame e Kosovës në ditët e fundit ka qenë mjaft aktive me kontakte të vazhdueshme që të paktën në 10 netët e fundit të muajit të Ramazanit të hapen xhamitë, por gjatë bisedës së sotme me ministrin në detyrë, Arben Vitinë, u bë e ditur se një veprim i tillë është me rrezikshmëri të lartë dhe kësisoj shëndeti i besimtarëve është primar dhe tejet i rëndësishëm.

Në anën tjetër, ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka falënderuar besimtarët për respektimin e rekomandimeve të institucioneve shëndetësore dhe vendimet e Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës.

“Planet e institucioneve shëndetësore janë prishur gjatë katër ditëve të fundit ku numri i rasteve të reja me ‘Covid – 19’ është rritur dhe, si e tillë, gjendja vazhdon të jetë e pasigurt”, ka thënë Vitia.

Po ashtu, ai u ka bërë thirrje edhe një herë të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës që t’i respektojnë rekomandimet në maksimum në mënyrë që të mos ketë valë të re epidemiologjike.

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, u morën vesh që të jenë në kontakt të vazhdueshëm në lidhje me situatën e krijuar në vend nga pandemia, ndërsa së bashku u uruan agjërim të lehtë dhe të pranuar të gjithë besimtarëve myslimanë.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkrimtari i njohur shqiptar, Ismail Kadare, ka deklaruar se “nuk…