Xhandarmëria serbe u pa në kufi, Sveçla: Jemi të aftë të ballafaqohemi me çfarëdo sfide
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se janë të aftë të ballafaqohen me çfarëdo sfide, pasi katër pjesëtarë të xhandarmërisë serbe janë parë duke qëndruar te stacioni policor kufitar në Merdarë.
Me këtë rast, Sveçla ka thënë se është shkelur marrëveshja për menaxhimin e përbashkët të pikave kufitare.
“Bëjnë shkelje të marrëveshjes për menaxhimin e përbashkët të pikave kufitare. Nuk është hera e parë që ata bëjnë shkelje të kësaj marrëveshje, por shpresojmë të jetë e fundit. Ne patjetër që jemi të gatshëm me u ballafaqua më çdo shkelje të tyre dhe në të njëjtën kohë edhe t’i prezantojmë ato tek partnerët tanë si dëshmi shtesë se si Serbia nuk është e gatshëm për të bashkëpunuar pavarësisht marrëveshjet të cilat ajo i ka nënshkruar”, ka thënë ai.
Më tutje, Sveçla ka thënë se janë të aftë të përballen me çfarëdo sfide “nga brenda apo jashtë”.
“Është e qartë se Kosova është e kërcënuar nga aspiratat hegjemoniste të Serbisë gjithë aparati i tyre shtetëror punon për të përmbushur qëllimet e tyre të cilat jo vetëm që janë të papranueshme për ne, por edhe kriminale në realitetin tonë. Institucionet e Kosovës po forcohen çdo ditë që këto qëllime të Serbisë të zmbrapsen në çdo moment tash edhe në të ardhmen. Jam i bindur që këto provokime do të dështojnë patjetër vështirësojnë jetën e qytetarëve tanë posaçërisht të komunitetit serb, por ne jemi të aftë që të ballafaqohemi me çfarëdo sfide nga brenda apo jashtë”, ka deklaruar Sveçla.