Xhavit Haliti: Jam me fat që punova dhe bashkëveprova me Jashar Salihun

16 dhjetor 2020 | 12:10

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Xhavit Haliti, ka përkujtuar Jashar Salihun në 20-vjetorin e ndarjes nga jeta.

Haliti ka thënë se Jashari ishte shembull i qëndresës gjatë arrestimeve politike të pas demonstratave studentore të vitit 1981, raporton “Epoka e re”.

“Në kazamatet e ish-Jugosllavisë, në Zenicë dhe Foçë, ku qëndroi si i burgosur, kishte bërë shumë miq, jo vetëm të burgosur politikë shqiptarë, por edhe të tjerë, si Alia Izetbegoviq etj. Qëndrimi stoik i tij në hetuesi dhe gjatë mbajtjes së burgut, ndikoj që edhe pas kryerjes së dënimit, organet e pushtetit, përfshirë edhe shërbimin sekret jugosllav, ta ndiqnin dhe provokonin në mënyra të ndryshme. Si profesor i Gjuhës Angleze që ishte, atij nuk iu dha më mundësia që të punonte në arsim si më parë, që të kishte një punë për ta mbajtur familjen. Këtë pushteti e bënte me qëllim që ta thente. Por, nuk ia doli dot”.

“Në vitin 1991, Jashari kaloi kufirin Kosovë- Shqipëri me ndihmën e organizatës sonë, në shoqërimin e gruas së bashkëveprimtarit dhe mikut të tij të ngushtë, Xhavit Hoxha, dhe u vendos në Zvicër. Atje pa hezitim iu bashkua radhëve të LPK-së dhe veprimtarisë së saj, në funksion të luftës çlirimtare dhe lirisë së Kosovës. Së bashku me Jashar Salihun iu nënshtruam një kursi special, intensiv, për të përgatitur dhe ndërtuar guerilën në Kosovë. Ai kishte një paraqitje burrërore të një malësori, ishte tepër i mprehtë, shumë i ashpër me kundërshtarin dhe tepër i afërt me shokët, me të cilët vepronte dhe punonte, e pranonte kritikën, duke mos i mbetur aspak hatri”, ka shkruar Xhavit Haliti në llogarinë e vet në “Facebook”.

Image may contain: one or more people, beard and closeup

Sipas Halitit, të gjithë ata që vepronin me Jashar Salihun i merrte malli që të kalonim kohën me të.

“Ai dhe Xhavit Hoxha ishin dy nga ata që mbanin raporte të rregullta me bashkatdhetarët. Që të dytë shtëpitë e tyre i kishin shndërruar në baza të organizatës sonë. Në vitin 1997 Jashari emërohet drejtues i Fondit “Vendlindja Thërret”, detyrë të cilën e kreu deri në fund të luftës. Gradimi i tij gjeneral është bërë në përputhje të saktë me meritat dhe angazhimin e tij. Gjatë qëndrimit në Tropojë dhe në bazën tepër sekrete në Syl Bicë, Jashari komunikoi dhe krijoi raporte të mira me të gjithë djemtë dhe vashat që vinin nga Kosova për t’u armatosur dhe kthyer në radhët e UÇK-së, gjithandej në frontet e luftës çlirimtare. Edhe unë, ashtu si shumë shokë të tjerë, mendoj se jam me fat që punova dhe bashkëveprova me Jashar Salihun”, ka shkruar ndër të tjera Xhavit Haliti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Linda Fetahu-Krivanjeva ka lindur dhe jetuar deri në përfundim të…