Xhavit Haliti kërkon që edhe Peja, Istogu dhe Deçani të futen në karantinë
Ish-nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, ka kërkuar që edhe Peja, Istogu dhe Deçani të futen në karantinë, me qëllim të parandalimin e përhapjes së pandemisë Covid- 19.
“Lëvizjet e shumta; mosrespektimi i distancës sociale; qëndrimi në grupe në objekte që punojnë pa leje; pamundësia për të konstatuar gjendjen e qytetarëve përmes kontrollit të përgjithshëm mjekësor, imponon marrjen e masave të cilat do të garantonin qytetarët nga përhapja e Covid- 19”, ka shkruar Haliti në llogarinë e tij në “Facebook”.
Postimi i plotë i Halitit:
Peja, Istogu dhe Deçani të futen në karantinë
Numri i shtuar i të infektuarve këto ditë në Kosovë, e bënë më të ngutshme domosdonë e marrjes së masave shtesë për parandalimin e përhapjes së pandemisë Covid- 19.
Lëvizjet e shumta; mosrespektimi i distancës sociale; qëndrimi në grupe në objekte që punojnë pa leje; pamundësia për të konstatuar gjendjen e qytetarëve përmes kontrollit të përgjithshëm mjekësor(testimit), imponon marrjen e masave të cilat do të garantonin qytetarët nga përhapja e Covid- 19.
Në këtë drejtim, në përputhje me gjendjen aktuale në terren, shtrohet si domosdoshmëri kohore futja në karantinë e qyteteve të Dukagjinit, si Peja, Istogu e Deçani.