Xhavit Haliti: Miratimi i Demarkacionit është i pashmangshëm
Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, edhe më tutje vazhdon të këmbëngul se miratimi i Marrëveshjes për Demarkacionin e Kufirit me Malin e Zi është i pashmangshëm.
Sipas tij, pa i siguruar votat e mjaftueshme, Demarkacioni nuk duhet të dërgohet në Kuvend.
E në anën tjetër, zëvendëskryeministri Fatmir Limaj ditë më parë pati paralajmëruar që Qeveria do ta sjellë në Kuvend një version për Demarkacionin, që do të jetë i pranueshëm për të dyja palët, duke mos dhënë detaje rreth këtij versioni.
Më 15 janar Komisioni për Punë të Jashtme do ta mbajë mbledhjen e radhës, ku do ta shqyrtojë Projektligjin për Demarkacionin, për të cilin pritet të votohet nëse do të shkojë ose jo në seancën e Kuvendit për miratim.
Kjo pasi Komisioni Shtetëror për Demarkacion, i emëruar nga kryeministri Haradinaj, në mbledhjen e fundit ka paraqitur disa fakte të reja që mund të ndikojnë në Marrëveshjen për Demarkimin e Kufijve mes Kosovës e Malit të Zi.
Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, tha për gazetën “Zëri” se për Demarkacion po presin vendimin e Komisionit për Punë të Jashtme.
Por, ai edhe një herë ka bërë thirrje që nëse nuk ka vota për t’u kaluar kjo çështje të mos shkojë në votim.