Xhavit Haliti: Pikat që prezantoi Kurti për asociacionin janë përralla
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Xhavit Haliti, ka komentuar gjashtë kushtet e propozuara nga kryeministri Albin Kurti për pranimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Haliti, i ka cilësuar përralla pikat e prezantuara nga Kurti, duke thënë se asnjëra nga to nuk lidhen me vërejtjet që i ka dhënë Gjykata Kushtetuese.
“Kurti dje tregoi përralla.Asnjëra nga to pika nuk lidhen me vërejtjet që i ka dhanë Gjykata Kushtetuese. Kurti nuk zbuloi pikat e veta, por bëri deklarata sa për t’i vendosur në lojë deputetët dhe për të hap debat dhe për të bërë lojën që deshi ta bënte dje, për t’i nxjerrë në një situatë me thanë po ose jo. Kurti duhet ta mendojë fort mirë se cilat janë detyrimet e tij ndaj Kosovës dhe ndaj të arriturave që ka bërë Kosova për këto vite pas çlirimit. Ai duhet të mendojë me e përmbyll pjesën e parë që është obligim i tij tani ose pjesën e dytë të marrëveshjeve që janë nënshkruar nga qeveritë njëra pas tjetrës dhe të mos bie në kurthin e Vuçiqit dhe armiqve të Kosovës të cilët po përpiqen ta paraqesin Kurtin si problematik për arritjen e marrëveshjeve dhe jo Serbinë”, ka thënë ai për “Blicin”.
Haliti ka kërkuar nga Kurti të jetë i sinqertë me deputetët pasi ata janë të zgjedhurit e qytetarëve.