Xhavit Haliti vlerëson pozitivisht letrën e VV-së: Uroj të merremi me të ardhmen e jo me të shkuarën
Nënkryetari i PDK-së, Xhavit Haliti, ka komentuar letrën e LVV-së adresuar PDK-së, duke e konsideruar si pozitive pasi sipas tij bashkëpunimi politik për të mirën e përgjithshme është i mirëseardhur në PDK, shkruan GazetaBlic.
Ai në një prononcim për GazetaBlic njofton se PDK-ja do të del me një përgjigje zyrtare nesër, pas shqyrtimit të letrës.
Ndërkaq, shton se vullneti për tu konsultuar në mes spektrit politikbërës është i domosdoshëm.
“Përgjigjen do ta japim zyrtarisht pas shqyrtimit të letres. Besoj se përgjigja zyrtare do ipet nesër. Sidoqoftë vullneti për tu konsultuar në mes spektrit politikbërës dhe shpresoj për të ideuar politikat shtetërore që kan të bëjnë me të ardhmen tonë, janë të domosdoshme. Uroj që të merremi me të ardhmen e jo me të shkuaren”, thotë ai.
Lidhur me këtë çështje, deputeti i zgjedhur nga radhët e AKK-së, Bekë Berisha, ka thënë shkurt se ai personalisht nuk ka disponim për bashkëpunim me Vetëvendosjen.
Por thekson se për këtë letër thotë se vendos partia dhe jo ai.
“Unë nuk kam disponim me bashkëpunu me Vetëvendosjen, por vendos partia”, ka deklaruar Berisha.
Albin Kurti u ka dërguar letra të gjitha partive politike.
Këtë e ka konfirmuar para pak çastesh zyrtari për media në zyrën e Vetëvendosjes, Arlind Manxhuka, përcjell GazetaBlic.
Manxhuka përmes një postimi në rrjetin social “Facebook” konfirmoi se Kurti përveç partive shqiptare, letra u ka dërguar edhe partive nga radhët e komuniteteve.