Xhavit Haliti: Zotëri Hoti, a mund të sqaroni çfarë është ‘Forumi i liderëve’?
Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Xhavit Haliti, ka reaguar ndaj takimit që ka pasur sot kryeministri Avdullah Hoti me liderët e partive politike, ku këtë takim e refuzuan LV-ja dhe PDK-ja.
Haliti përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka kërkuar nga Hoti që të sqarojë se çfarë është “Forumi i liderëve”.
“Z. Hoti, a mund ta sqaroni se çfarë është ‘Forumi i liderëve’? Kur është formuar dhe nga kush? Cilat janë kompetencat e këtij ‘kuazi forumi’? A është kushtetues? Ky ‘forum’ a ka status institucional e Kushtetues? Si caktohet statusi i liderit që merrë pjesë në mbledhjet e këtij ‘forumi’? A është miratuar ky organ qesharak nga Kuvendi i Kosovës? Apo jeni i interesuar ta përjashtoni sovranin e të merreni me ‘pronarin’, me falni me ‘pronarët’ e partive politike që deputetët e partive të veta i kanë vetëm si makineri votimi”, ka shkruar Haliti.
Haliti ka kërkuar sqarim nga kryeministri Hoti për takimin në Bruksel me Aleksandër Vuçiqin.
“Z. Hoti, raporto në Qeveri e Kuvend për atë që biseduat me Vuçiqin në Bruksel. Kjo është detyra e juaj dhe obligimi i juaj kushtetues. Njoftoje edhe Presidentin. E me kryetarët e partive është mirë të bisedoni për ndryshimin e Ligjit për Zgjedhjet dhe ta përgatitni atë. Besoj që e dini që BE, ShBA dhe Britania e Madhe, kanë insistuar dhe insistojnë që të bëhet ligjit i ri zgjedhor”, ka deklaruar anëtari i Kryesisë së PDK-së, Xhavit Haliti.
(M.Q / Epoka e re)