Xhavit Hoxha: Pushka atdhetare i mbyllë të gjitha shtigjet e ligësisë, ajo pajton edhe gjaqe
(Intervista me Xhavit Hoxhën është botuar në “Epoka e re” më 5 qershor 2006 dhe botohet sot me rastin e 16-vjetorit të vdekjes së tij. Intervistën e kishte realizuar Kadri Rexha)
Xhavit Hoxha është një nga veprimtarët e orëve të para të Lëvizjes Çlirimtare të Kosovës. Anëtar i organizatës LNÇKVSHJ, ish i burgosur politik, pishtar i arsimit në atdhe dhe në diasporë, pinjoll i derës Hoxha, e quajtur ndryshe Oda e Junikut, e njohur për atdhetarizëm, për pleqëri të drejtë dhe për tradita luftarake, vëlla i dëshmorit të kombit, gjeneralmajorit Edmond Hoxha.
Kundërrevolucionarë, armiq të bashkim-vëllazërimit, nacionalistë, separatistë, irredentistë, shqiptaromëdhenj…Këto ishin vetëm disa nga epitetet me të cilat pushteti komunist jugosllav, përfshirë këtu edhe atë të Kosovës, zhvillonte luftën e vet propagandistike kundër pjesëmarrësve në demonstratat e mars-prillit të vitit 1981 në Kosovë dhe kundër kërkesave të tyre të ligjshme për liri dhe të drejta kombëtare. Një qasje të veçantë ndaj disa prej këtyre epiteteve, qasje që pavarësisht torturave të egra të përjetuara, në të shumtën e rasteve është dëshmuar me guxim dhe vendosmëri edhe para gjykatave dhe në burgje brenda e jashtë Kosovës nga ish-të burgosur politikë, qoftë grupisht, qoftë individualisht, gjatë bisedës sonë, me rastin e 25-vjetorit të demonstratave të vitit 1981 në Kosovë, na e sjell Xhavit Hoxha. “Kur na kanë quajtur nacionalistë dhe irredentistë nuk kanë hyrë në hak me ne sepse të tillë edhe kemi qenë. Njëherë e përgjithmonë kemi dashtë të çlirohemi dhe të bashkohemi me shtetin amë, me Shqipërinë e ëndrrave dhe të realitetit tonë. Fatkeqësisht, nuk kishim armë më të madhe se mendimin, letrën dhe grushtet tona të thata”, thotë me këtë rast Hoxha.
“Epoka e re”: Z. Hoxha, na flisni diçka ju lutem për fillimet e veprimtarisë suaj politike?
Xhavit Hoxha: T’i përgjigjesh kësaj pyetjeje është njësoj si t’i përgjigjesh pyetjes: pse kam lindur? Fillimisht oda e burrave. Bisedat për gjërat më të thjeshta. Legjendat dhe historitë e ndryshme. Këngët dhe rrëfimet për trimat. Analizat politike të burrave më të urtë. Dëgjimi me derë të mbyllur i Radio Tiranës dhe Radio Kukësit. Fjalët e mësuesit në klasën e parë. Lojërat në shkollë. Përqafimi i butë i nënës. Ofshamat e thella të babës… Është zor të zihet filli i gjithë kësaj…Konkretisht këtë punë mund ta lidhi me miqësinë time të hershme me Jashar Salihun dhe shokë të tjerë, qysh si nxënës. Bisedat tona të pashtershme dhe preokupimi ynë rinor për të kaluarën, për krimet e mëdha që kishin bërë serbët në trevën tonë, për librat e ndaluara, për Adem Demaçin, për Naim Frashërin, Gjergj Fishtën… Këngët që i këndonim për trimat dhe sidomos kënga për Oso Kukën. Në bisedat tona dashur pa dashur hynte edhe emri Shqipëri, Kosovë, Lidhje e Prizrenit, Luftëra Ballkanike, Traktati i Londrës, ndarje, bashkim… Pos me shokët e mi të rinisë, rrethi me njerëz të ngjashëm më këtë ide po rritej me kohën. Vazhdimisht gjëja shokë të brezit tim që mirëfilli kuptoheshim se çiftelitë tona rrihnin të njëjtin tel. Në këto rrethana, disi, preokupim yni zuri të bëhej organizimi i mirëfilltë ilegal për çështje të çlirimit të Kosovës dhe të bashkimit të saj me Shqipërinë. Busull orientuese në këtë drejtim e kishim Adem Demaçin dhe Lëvizjen e tij legjendare. Në derën e preokupimit tonë më vonë trokiti edhe i madhi Jusuf Gërvalla.
“Epoka e re”: Pra, kyçja juaj në aktivitetin patriotik nuk është e rastit?
Xhavit Hoxha: Në aktivitetin tim patriotik nuk ka pasur rastësi. Në këtë drejtim çdo gjë e kam bërë me paramendim dhe me bindje të plotë. Së pari i kam peshuar gjërat mirë e mirë me vetveten: e kam ditur se veprimtaria atdhetare kërkon përkushtim, bindje të fortë, vendosmëri, ideal të lartë kombëtar, përcaktim të qartë politik dhe gatishmëri deri në flijim për sfidat që paraqiten. Dhe, isha i bindur se të gjitha këto virtyte i kam. Pra, përcaktimi im për këtë veprimtari ishte i hershëm dhe qëndrimin dhe qëllimin e kisha të qartë.
“Epoka e re”: Si u bëtë anëtar i LNÇKVSHJ-së, përkatësisht Komitetit të Deçanit? A e gjetët ju Lëvizjen apo Lëvizja iu gjeti ju?
Xhavit Hoxha: Unë mendoj se vetë puna e shpie individin tek organizata. Pra, puna e përditshme, sjellja dhe sidomos bisedat qofshin ato të rastit apo të qëllimshme e zbulojnë individin dhe përcaktimin e tij sipas shembullit: gjuha shkon atje ku dhemb dhëmbi. Kështu organizatës i mbetet të interesohet për të dhe me barometrat që ka të bëjë matjen e karakterit dhe të disa veçorive të individit dhe në bazë të testimit bëhet edhe shkalla e afrimit të tij deri te anëtarësimi. Kështu disi ka ngjarë edhe me mua. Unë, për shembull, kishte kohë që punën propagandistike e kisha bërë edhe pa qenë anëtar i organizatës ilegale, bile pasi u bëra anëtar më duhej të isha shumë më i matur ngase më nuk i përkisja vetvetes. Më nuk mund të thosha le të bëhet çka të bëhet, e paguaj vetë me lëkurën time, por duhej të kisha parasysh Organizatën, qëllimin e saj, ruajtjen e shokëve dhe kështu me radhë. Dhe, pikërisht në këtë çështje mendoj se ka qëndruar edhe dobësia e Organizatës sonë.
“Epoka e re”: Më konkretisht, ju lutem?
Xhavit Hoxha: Shumica e anëtarëve të Komitetit të Deçanit për orientimin politik të tyre njiheshin si nga populli ashtu edhe nga UDB-ja. Disa nga ta ishin edhe të përcjellur nga spiunët, si bie fjala Ismajl Haradinaj, Hasan Ukëhaxhaj, Muhamet Rogova etj. Unë dhe Muhamet Rogova shoqëroheshim shumë, bile dilnim dhe vizitonim shumë fshatra të Dukagjinit. Bisedat tona me nxënës dhe me njerëz të ndryshëm si në rrugë, si në shëtitore, si në odat e burrave dhe gjetiu kishin për temë çështje historike, probleme kombëtare, kulturore, traditën tonë, gjendjen ekonomike dhe sociale të popullit, duke mos lënë anash politikën e përgjithshme botërore. Pos theksimit të robërisë së Kosovës dhe çështjes së pazgjidhur kombëtare në përgjithësi, ne propagandonim edhe për luftën, përgatitjen e gjithanshme për të, sepse lufta jonë për liri ishte në prag. Prandaj, ky propagandim yni i hapur, me shpatë mbi setër, ka pasur edhe tagrin e vet të lartë.
Shkruanim parulla, shpërndanim pamflete, gazeta ilegale dhe libra të ndaluar
“Epoka e re”: A s’na thoni me pak fjalë historikun e Komitetit të Deçanit? Formimin, platformën, anëtarësinë dhe shtrirjen gjeografike të veprimtarisë?
Xhavit Hoxha: Në bazë të programit dhe të statutit Komiteti i Deçanit ishte vazhdimësi e LNÇKVSHJ-së, me zanafillë në vitin 1963, e themeluar nga Adem Demaçi me platformë politike “çlirimin e krahinave shqiptare dhe bashkimin e tyre me nënën e vetë-Shqipërinë”. Themelimi i Komitetit daton menjëherë pas zbulimit dhe rënies në burg të aktivistëve të organizatës LNÇKVSHJ në vitin 1979. Udhëheqës i Komitetit në Kosovë ishte Ismajl Haradinaj, ndërsa jashtë atdheut ishte Jusuf Gërvalla, i cili në vitin 1979 kishte arritur t’i ikë arrestimit nga UDB-ja dhe ishte vendosë në Ludëigsburg të Gjermanisë. Lidhjet e Jusufit me Komitetin e Deçanit mbaheshin nëpërmjet veprimtarëve tanë të besueshëm. Pas demonstratave të mars-prillit 1981 edhe Organizata jonë e përkrahu kërkesën taktike gjithëpopullore “Kosova Republikë”, por nga strategjia jonë për bashkimin kombëtar nuk kemi hequr dorë asnjëherë. Veprimtaria e tërësishme e Komitetit është e shumanshme dhe për të shpalosë atë nuk mjafton kjo bisedë e rastit. Detyrat e anëtarëve dhe qëllimi i veprimtarisë së tyre ishin të përcaktuara me status dhe program, por për ngritjen e anëtarëve të organizatës shfrytëzohej edhe literaturë e gjerë teorike, historike dhe revolucionare. Anëtarët zgjidheshin në bazë të njohjes paraprake, në bazë të bindjes së fituar për personin e caktuar, në bazë të provave, në bazë të qëndrimit, vendosmërisë dhe të sakrificës familjare…Anëtarët përgatiteshin që të jenë të aftë sa armikun ta tërheqim në fushën që donim ne e jo aty ku donte armiku. Anëtarët duhej të përgatiteshin për qëndresë, për konspiracion dhe për burg të rëndë. Ata përgatiteshin që luftën e ardhshme që ishte e pashmangshme mundësisht ta orientonim dhe ta bënim vetëm me Serbinë, sepse armiqësimi me popujt tjerë për ne ishte i papranueshëm. Demonstratat e vitit ’81 Organizatën tonë, përkatësisht ne, Komitetin e Deçanit, na gjetën të lidhur edhe me komitetet në formim, si ai i Drenicës me Bajram Gashin në krye, i Gjakovës me Muhamet Rogovën, i Mitrovicës me Bislim Bajramin, i Llapit me Beqir Hajrizin, pastaj me ato në Gjilan, në Shkup dhe Stamboll si dhe disa celula të tjera të themeluara dhe në themelim e sipër. Anëtarësia e Komitetit ishte e gjerë. Sidomos në prag të demonstratave dhe gjatë demonstratave erdhi deri te një masivizim shumë i gjerë i anëtarësisë. Në kuadrin e Komitetit të Deçanit vepronte edhe grupi i të rinjve i quajtur “Shqiponjat”, i cili me celulat e veta të shumta zhvilloi një aktivitet të dendur dhe shumë të çmuar. Celulat e anëtarësisë vepronin në formën e treshit.
“Epoka e re”: Anëtarët e parë të Komitetit u arrestuan. Ju kishit pasaportë. Shqipërinë e kishit vetëm dy hapa larg. Pse nuk u arratisët?
Xhavit Hoxha: Demonstratat e detyruan Organizatën tonë të dalim hapur. Propagandonim, shkruanim parulla, shpërndanim pamflete, gazeta ilegale (“Lajmëtari i lirisë”, “Liria”, “Bashkimi”) dhe libra të ndaluar, organizonim bojkotimin e mbledhjeve diferencuese, sabotonim veprimtarinë e armikut, thërrisnim punëtorët që të fillojnë grevat, merrnim pjesë në demonstrata…Me një fjalë ishim kudo, fytafyt me armikun. Dalja jonë haptazi na kushtoi. U zbuluam dhe filloi burgosja jonë. Vërtetë unë kisha pasaportë dhe kisha mundësi të arratisesha në Perëndim. Sa për kalimin e kufirit dhe ikjen në Shqipëri nuk e kisha asnjë problem sepse atë zonë e njihja si pëllëmbën e dorës. Lidhur me këtë çështje Organizata kishte qëndrim të prerë. Nga arrestimi mund të përjashtohej vetëm ndonjë rast i veçantë. Përndryshe, kishte ardhur koha kur burgjet jugosllave duhej të mbusheshin ding me atdhetarët shqiptarë që edhe në këtë mënyrë të dëshmohej para botës lufta jonë e drejtë për liri. Arrestimi masiv i anëtarëve të Organizatës tonë u bë në mëngjesin e hershëm të datës 10 maj 1981. Atë ditë u arrestova edhe unë. Forca të mëdha të milicisë, të rezervistëve të shumtë dhe të udbashëve të ardhur nga SPB-ja e Pejës, kishin rrethuar shtëpinë time dhe mbarë Junikun. Fillimisht, si mua ashtu edhe anëtarët tjerë, na dërguan në Burgun e Pejës, me përjashtim të Drita Kuqit, të cilën e mbyllën në pavionin e grave në Burgun e Mitrovicës. Ismajl Haradinaj dhe Hasan Ukëhaxhaj janë marrë në pyetje edhe nga inspektorët federativ të ardhur nga Beogradi. Hetuesit silleshin si bisha të çmendura. Por për dajak, mjerisht, ishin vendorët, shqipfolësit. Maltretimi bëhej sipas pozitës së të burgosurit. Dajak merrnin edhe ata që qëndronin të fortë, si Islam Mustafaj që pohonte: unë i di të gjitha, por nuk flas. Torturat më barbare janë zhvilluar sidomos mbi Ismajl Haradinajn. Gjykata e Pejës na dënoi me burg të rëndë me kohëzgjatje nga 3 deri në 14 vjet. Unë u dënova me katër vjet burg dhe dënimin e mbajta në burgjet namzeza në Leskovc dhe në Nish.
“Epoka e re”: Në cilin burg u zhvilluan hetimet? Për çka akuzoheshit? Kush iu mori në pyetje?
Xhavit Hoxha: Hetimet kundër Organizatës tonë u zhvilluan nga organet e UDB-së së Pejës. Akuza na ngarkonte për veprimtari armiqësore kundër popullit dhe shtetit jugosllav, sipas nenit 136 dhe 114, pra bashkim dhe kundërrevolucion. Me akuzën e parë u pajtuam të gjithë ngase me vetëdije kishim vepruar për rrënimin e shtetit jugosllav, ndërsa me akuzën e dytë nuk u pajtuam sepse ajo ishte shumë e pabazë dhe nuk përmbante kurrfarë elementesh me çka u dëshmua edhe gjatë gjykimit.
Hetuesit ishin shqiptarë, serbë dhe malazezë nga Peja, Prishtina dhe Beogradi. Se ishte bërë kiameti. Hej, kishim guxuar të ngrinim zërin kundër Jugosllavisë, kundër shtetit më të përkëdhelur të botës, sipas tyre shtetit më të fortë në Evropë! Po na dhimbeni se po i bini murit me kokë, i thanë Jashar Salihut gjatë hetimeve. Po shkoni dëm. Nuk e dini se Jugosllavia është superfuqi botërore. Jashari, siç ishte gjithmonë i qetë, ua kthen urtë: ne nuk ngutemi e as ndalemi, një tullë sivjet, një tullë vitin tjetër e kështu deri sa të jemi gjallë, deri sa të rrënojmë përfundimisht këtë shtet okupues. Konkretisht unë akuzohesha për zhvillimin, zgjerimin dhe formimin e komiteteve të reja, për detyra speciale, për mbledhjen e informatave me qëllim publikimi, si dhe për iniciativën time lidhur me sigurimin e armatimit për luftën që shihej në horizont.
Demonstratat mendoheshin të ishin faza e parë e kryengritjes së armatosur
“Epoka e re”: Veprimtaria e Organizatës suaj fillon një vit para shpërthimit të demonstratave të mars-prillit ’81. Sa keni punuar për këtë ditë? Shpërthyen ato para kohe apo me kohë? Sa dhe si i përkrahët demonstratat?
Xhavit Hoxha: Kemi punuar shumë që një ditë ta ngritim popullin në demonstrata masive, të cilat sipas Jusuf Gërvallës mendoheshin të ishin faza e parë e kryengritjes së armatosur të popullit shqiptar të robëruar në trojet e veta në Jugosllavinë tashmë të shkatërruar. Veprimtaria jonë ishte shumë e gjerë dhe karakterizohej nga shtimi i shkallës së aktivitetit. Në fillim puna jonë u dëshmua në mbarë Rrafshin e Dukagjinit dhe vetëm për pak muaj arritëm të zgjerohemi deri në Besianë, Gjilan dhe Shkup. Caku ynë kryesor ishte Universiteti i Kosovës. Veprimtaria jonë i mbulonte të gjitha trojet e robëruara shqiptare. Në prag të shpërthimit të demonstratave Jusuf Gërvalla përmes udhëzimeve që na i dërgonte si dhe përmes gazetës “Lajmëtari i lirisë” jepte lajmin kushtrim: “Po bëhet gati populli për hakmarrjen e vet të madhe. Do ta derdhim edhe pikën e fundit të gjakut tonë dhe do të ngadhënjejmë mbi armiqtë dhe mbi tradhtarët e çdo ngjyre. Dita e lirisë po afrohet. Po vjen dita që armiku e tradhtari të japin llogari për krimet e poshtërsitë e bëra mbi popullin tonë…Vetëm të bashkuar e të vendosur, me besën e madhe shqiptare, do të arrijmë në fitoren tonë të sigurt…”.
Demonstratat shpërthyen në kohën e duhur dhe ne na gjetën në krye të detyrës. Edhe pse nuk ishim organizatorë të drejtpërdrejtë të demonstratave ato na mobilizuan hala më shumë. Forca jonë duhej ta godiste pa mëshirë armikun. Për këtë ditë ishin flijuar me mijëra atdhetarë dhe me dhjetëra organizata atdhetare. Koha nuk priste më…
“Epoka e re”: Klasa politike, atëherë dhe sot, pohojnë se u zunë në befasi nga demonstratat e mars-prillit ’81. Mendimi juaj?
Xhavit Hoxha: Është e vërtetë se klasa politike e Kosovës u zu në befasi nga demonstratat e atij viti të madh si dhe nga rezistenca mbarëpopullore që pasoi gjatë viteve në vijim. Kishte kohë që klasa politike e Kosovës po jetonte në luks dhe po bënte jetë të shkëputur larg krajatave, skamjes, padrejtësive të shumta dhe robërisë së padurueshme të popullit të vet. Duket se kjo klasë vasale e frymëzuar edhe nga padroni i tyre serbian kishte ardhur në përfundim se rinia shqiptare tashmë ishte tjetërsuar, ishte degjeneruar dhe ishte zhveshur nga çdo element kombëtar. Ata, pjesëtarët e kësaj klase, së bashku me padronin, mendonin se nuk ka më rini shqiptare, se rinia ka filluar të bëjë një mënyrë tjetër jete, jetë qejfesh dhe shfrimesh banale sa nuk i bie më ndërmend Shqipëria, të cilës, sipas tyre, i mungonin edhe shporetet dhe televizorët. Kjo klasë ende u frikësohej vetëm veprimtarëve të vjetër të cilët i kishte mbyllur nëpër kazamatet mesjetare jugosllave dhe dukej se kishte harruar se në Kosovë po rritej një rini e uritur për bukë, për dituri dhe për liri, e cila vetëm po e priste momentin që të hidhej në beteja për t’i pushtuar të gjitha këto deri në një. Rinia jonë, asokohe, kishte ideale, mësonte, kërkonte rrënjët e historisë, ishte edukuar me përvojën e vuajtur të baballarëve të tyre, me përvojën e lavdishme të historisë së gjallë shqiptare, me mësimet kombëtare dhe revolucionare të Enver Hoxhës, ishte rritur me këngët e trimërisë të kënduara nga rapsodi i popullit Dervish Shaqa dhe me emisionet mbi heroizmin e popullit tonë ndër shekuj të Radio Kukësit dhe të Radio Tiranës.
“Epoka e re”: Gjykatat e Kosovës të burgosurit politikë i dënuan në emër të popullit. Prokurorët, gjykatësit dhe hetuesit kanë bërë krime të mëdha në emër të ligjit të armikut. Ka kërkesa për rehabilitimin e ish të burgosurve politikë si dhe për dënimin moral të të gjithë atyre që morën pjesë në tragjedinë e Kosovës. Mendimi juaj?
Xhavit Hoxha: Është e vërtetë se Serbia me ndihmën e argatëve të vet shqipfolës ka bërë kërdi mbi popullin e Kosovës. Ky mal me krime është i pafalshëm. Të paktën, këto krime patjetër duhet të mbeten të shënuara në analet e historisë. Brezat e ardhshëm duhet të mësojnë për këtë gjëmë. Lidhur me rehabilitimin tonë, me siguri, në kohëra më të mira, Kuvendi i Kosovës do të thotë fjalën e meritueshme. Sot kjo është e pamundur të bëhet. Ende jetojmë nën sundimin e të huajve. Sa u përket dënimeve, e kemi ditur edhe atëherë: na ka dënuar armiku dhe ne nuk kemi kërkuar mëshirë. Në bazë të punës sonë, shpërblim tjetër nuk kemi pritur nga armiku: na kanë burgosë, na kanë rrahë, na kanë vrarë, por krenohemi se kemi luftuar për fitoren e lirisë sonë, kundër shtetit armik shekullor. Dhe, këtë e kemi bërë me zemër dhe me të gjitha forcat që i kemi pasur. Kur na kanë quajtur nacionalistë dhe irredentistë nuk kanë hyrë në hak me ne sepse të tillë edhe kemi qenë. Njëherë e përgjithmonë kemi dashtë të çlirohemi dhe të bashkohemi me shtetin amë, me Shqipërinë e ëndrrave dhe të realitetit tonë. Fatkeqësisht, nuk kishim armë më të madhe se mendimin, letrën dhe grushtet tona të thata. Them për fat të keq, sepse punët do t’i kishim përfunduar qysh në muajin prill të vitit 1981 dhe sot do të kishim një shtet të zhvilluar, stabil dhe faktor i fortë paqeje në rajon dhe më gjer. Sot shqiptarët do të këndonin një këngë tjetër dhe nuk do të tërhiqeshim kështu zvarrë me zorrë nëpër këmbë, si lypsarë të botës. Sikur ta kishim përfunduar revolucionin tonë në vitin 1981, nuk do të vinin në situatën e rëndë të poshtërimit gjatë viteve të 90 kur populli i manipuluar nga udbashët dhe nga bijtë e udbashëve na fyenin me lloj-lloj emrash: si kuqaloshë, komunistë etj. Qëllimi i udbashëve ishte i qartë: ta thyenin tehun revolucionar dhe shpirtin luftarak të atdhetarëve të devotshëm, të njerëzve të sakrificës si dhe ta dobësonin përkrahjen e popullit ndaj nesh, me çka edhe patën sukses. Ky sukses i udbashëve u pa sidomos me rastin e organizimit të luftës çlirimtare të Kosovës, kur nga ta u sabotua çdo nismë e mbarë organizative. Personalisht mendoj se historia do t’i dënojë të gjithë individët që ishin në shërbim të Serbisë dhe që në mënyra të ndryshme morën pjesë në dënimin tonë dhe në tragjedinë e Kosovës gjatë viteve të tetëdhjeta. Ajo do t’i dënojë edhe individët dhe partitë të cilat jo vetëm nuk e përkrahën luftën e UÇK-së, por ishin kundër saj me të gjitha forcat. Nuk thotë kot populli: pushka atdhetare i mbyllë të gjitha shtigjet e ligësisë, pushka atdhetare pajton edhe gjaqe. Dhe, pushka për atdhe kërciti në vitet e fundit të shekullit të kaluar. Pushka për të cilën ishin flijuar shqiptarët një shekull të plotë. Dhe, për ironi, të gjithë ata që e shanë luftën e UÇK-së, në Kosovë dhe anë e mbanë botës, të gjithë ata që e sabotuan luftën deri në fund, u turrën pas mbarimit të saj, o burrani, dhe i zunë kolltukët udhëheqës, plaçkitën çka mund të plaçkitej dhe sërish filluan sulmin kundër frontit që e bëri luftën. Kur jem te rehabilitimi, t’i them edhe dy fjalë. Vetëm në këtë qytet të vogël të Evropës ku jetoj unë jemi më tepër se dhjetë ish të burgosur politikë dhe të gjithë me fakultete të kryera. Kemi ndihmuar luftën dhe djemtë e UÇK-së me të gjitha mundësitë. Me djersën tonë mbajmë familjet tona dhe ende ndihmojmë nevojtarët në Kosovë. Por, kur po i shoh udbashët dhe bijtë e tyre në pushtet, prokurorët dhe gjykatësit e dikurshëm në vende të njëjta të punës, pseudointelektualët e dikurshëm pushtetarë dhe bijtë e tyre në vende udhëheqëse po më dhëmbë shpirti. Dikur si shërbëtorë besnikë të armikut ata i kanë shfrytëzuar të gjitha të mirat e pushtetit komunist jugosllav. Sot i shfrytëzojnë të gjitha të mirat që ua dha demokracia ndërkombëtare: vila, hotele, tenderë, rroga të majme, ryshfete, hajni etj. etj. Më bëhet se kjo botë qenka e krijuar për të mirën e gjakësorëve dhe për vuajtjen e të mirëve. Turp.
Megjithatë, turpi nuk po çelte varrë askënd. Ne që jemi dergj burgjeve dhe hetuesive, të rrahur dhe të fyer në mënyrën më çnjerëzore, ne që nuk na lanë ta vuajmë dënimin me burg as në Kosovë, ne që me dhunë u detyruam ta braktisim atdheun dhe u degdisëm meridianeve në internim të përjetshëm nuk i ramë në qafë Kosovës për asgjë personale. Ne, në parim, iu përmbajtëm urtisë së Xhon Kenedit. Dhe kemi mbetur të njëjtit idealistë me gatishmërinë që deri në vdekje të punojmë dhe të flijohemi për lirinë, për gjuhën, për flamurin, dhe për bashkimin e kombit në një shtet. Kosovën as e kemi gënjyer, as e kemi vjedhur ndonjëherë. Prandaj as kërkojmë shpërblime prej saj. Kemi vetëm një lutje: Zot dhe Popull, na pranoni ashtu sikur na keni lindur, ashtu sikur na keni mësuar, ashtu sikur na keni edukuar.