Xhelal Sveçla njofton UNDP-në për masat ndaj koronavirusit
Ushtruesi i detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla, ka pritur në takim, Ulrika Richardson, koordinatore për Zhvillim e OKB-së në Kosovë dhe përfaqësuesen e përhershme të UNDP-së në Kosovë, Maria Suokko.
Në këtë takim është diskutuar për situatën e fundit pas shpalljes së pandemisë me Covid-19, për masat që ka marrë Qeveria e Republikës së Kosovës dhe ndihmës që mund të jap OKB-ja dhe UNDP-ja, përmes programeve të tyre në Kosovë, në funksion të menaxhimit të kësaj situate.
Gjatë takimit është vlerësuar partneriteti me këto organizata dhe në veçanti është diskutuar për ndihmën që mund të ofrojnë këto organizata për pajisje mjekësore mbrojtëse për Policinë e Kosovës, Ekipet e Emergjencave dhe mjekët.
Sveçla ka theksuar se Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, është duke punuar me të gjitha kapacitetet e saja, ku është aktivizuar edhe Plani për reagim kombëtar.
Ai ka thënë se po bashkërendohen të gjitha aktivitetet me të gjitha institucionet tjera të sigurisë në Kosovë, në menaxhimin e kësaj situate, që krahas ruajtjes së shëndetit të përgjithshëm publik, është shumë e rëndësishme edhe siguria e qytetarëve në përgjithësi.
Ndërsa përfaqësueset e OKB-së dhe UNDP-së në Kosovë, kanë shprehur gatishmërinë për të mbështetur institucionet e vendit me të gjitha mundësitë që kanë dhe njëkohësisht vlerësuan lartë institucionet e Kosovës në menaxhimin me profesionalizëm të kësaj situate.